



Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë u bë e ditur se shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse qëndron pas “sulmit kibernetik ndaj kontrollit të trafikut ajror gjerman në gusht të vitit 2024”.
Po ashtu, janë ngritur akuza ndaj Rusisë se ka tentuar të ndikojë dhe të destabilizojë zgjedhjet në vend.
“Tani mund ta atribuojmë qartë sulmin kibernetik ndaj shërbimit gjerman të sigurisë së trafikut ajror në gusht 2024 grupit haker APT28, i njohur edhe si Fancy Bear. Së dyti, tani mund të deklarojmë përfundimisht se Rusia, përmes fushatës Storm 1516, ka synuar të ndikojë dhe të destabilizojë zgjedhjet e fundit federale,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
Ata shtuan se Gjermania, në koordinim të ngushtë me partnerët e saj evropianë, do të përgjigjet me kundërmasa për ta detyruar Rusinë që “të paguajë çmimin për veprimet e saj hibride”.
Qeveritë në mbarë Evropën ndodhen në gjendje gatishmërie të lartë për shkak të spiunazhit të dyshuar rus, mbikëqyrjes me dronë dhe aktiviteteve sabotazhe, si dhe për shkak të sulmeve kibernetike dhe fushatave të dezinformimit.
Nga Gjermania u bë e ditur gjithashtu se ambasadori rus është thirrur për sqarime dhe se vendi do të mbështesë të gjitha sanksionet kundër Rusisë.