Escobar për ndalimin e dinarit: Kosova nuk ka dhënë asnjë alternativë

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Amerika është e shqetësuar që Kosova nuk e trajton atë si partnere dhe nuk punon së bashku për stabilitetin rajonal, por minon dialogun – për të cilin SHBA-të janë plotësisht të përkushtuara.

Tutje Escobar ka shprehur shpresën se përfaqësuesit e Kosovës do të marrin pjesë në takimin në Bruksel më 27 shkurt, ku do të diskutohet për situatën pas ndalimit të dinarit në Kosovë.

I pyetur se a është diskutuar më herët në dialog politika e re për dinarin me Beogradin, ai tha:

“Ka dy gjëra të rëndësishme për këtë: njëra është se Bashkësia e Komunave me shumicë serbe – formimi i së cilës është obligim dhe për ne duhet të përmbushet – përfshin zgjidhjen e çështjes së dinarit në mënyrë transparente, elektronike në në përputhje me ligjet e Kosovës. Dhe ne e mbështesim atë. Me fjalë të tjera, ky është një problem që do të zgjidhej përmes Komunitetit. Kemi disa shqetësime për këtë: i pari është ndryshimi i papritur i ligjit. Institucionet përgjegjëse nuk i befasojnë qytetarët e tyre me ndryshime administrative që do të prishin jetën e tyre të përditshme.

Tani imagjinoni që Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme në Amerikë (IRS) një ditë vendos të ndryshojë sistemin e taksave, pa lëshuar asnjë udhëzim apo njoftim. Epo, kjo do të kishte pasoja të mëdha për biznesin. Së dyti, ata nuk kanë biseduar me komunitetin lokal, i cili varet nga përfitimet sociale nga Serbia. Së treti, Kosova nuk ka dhënë asnjë alternativë, për shembull një grua është drejtuar në ambasadën tonë e cila është 100% e varur nga përfitimet sociale, sepse kujdeset për djalin e saj me aftësi të kufizuara, nuk ka alternativë. Më pas, Kosova refuzoi asistencën teknike të QUINT-it për të gjetur një mekanizëm pagese që do të ishte transparent dhe elektronik dhe nuk do të prishte jetën e njerëzve. Më në fund, në samitin në Shkup (takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në janar 2024), gjashtë vende diskutuan për një sistem pagese që mund të aplikohet në të gjitha vendet. Pra, gjithçka që duhej të bënte Kosova ishte të priste dhe të merrte një sistem transparent.”

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi