“Mendojmë se ky Propozim Evropian i lehtësuar përmes dialogut të BE-së është një mundësi e jashtëzakonshme për paqen e qëndrueshme ndërmjet dy vendeve të rëndësishme të rajonit”, tha Escobar.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, një ditë para takimit të nivelit të lartë Kosovë-Serbi në Ohër të Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu.
Presidentja Osmani, tha se Republika e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në dialog me përkushtim të plotë dhe qasje konstruktive “siç ka bërë përgjatë gjithë këtij procesi”.
Osmani tha se takimi i 18 marsit në Ohër përbën momentum të rëndësishëm, derisa theksoi se një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohen dy shtetet si të barabarta; është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon.
“Pritshmëria ime si presidente e Republikës është se marrëveshja do të sjellë marrëveshje konkrete, të prekshme për Kosovën, rrjedhimisht, do të siguroj integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike, do të sigurojë integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb të Kosovës në institucionet e Republikës. Kjo, do të rezultojë pastaj me shpërbërjen efektive të menjëhershme të të gjitha strukturave ilegale të Serbisë. Po ashtu, kjo marrëveshje përfshin parime të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të cilat do ta shtrojnë rrugën drejtë njohjes reciproke”, theksoi Osmani.
Osmani tha se është me rëndësi po ashtu që marrëveshjet që dalin nga dialogu të jenë të zbatueshme dhe të gjejnë përkrahjen e Kuvendit të Kosovës.
– Escobar: “Pas të shtunës do të kemi lajme të mira”
I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret takime shumë produktive në Ohër midis kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.
Escobar tha se SHBA ka për qëllim të mbështesë plotësisht çdo rezultat që sjellë paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësi për Kosovën dhe për Serbinë dhe pjesën tjetër të rajonit që të bëhen anëtare të plotë të komunitetit evropian.
“Mendojmë se ky Propozim Evropian i lehtësuar përmes dialogut të BE-së është një mundësi e jashtëzakonshme për paqen e qëndrueshme ndërmjet dy vendeve të rëndësishme të rajonit. Dhe, si mbështetësi më i madh i Kosovës në botë kemi për qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën dhe tërë rajonin që të zhbllokohen disa prej burimeve më të reja që Ballkani ja siguron vetes por edhe gjithë Evropës”, theksoi Escobar.
Ai tha se është shumë optimist për mundësinë e një zgjidhje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe beson se “pas të shtunës do të kemi lajme të mira”.
Pas takimit me presidenten Osmani, Escobar do të pritet edhe nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca e më pas edhe nga kryeministri i vendit Albin Kurti.
Escobar të enjten mbrëma ka takuar edhe përfaqësuesit e partive opozitare në vend. Në këtë takim kanë marr pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, si dhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ndërsa të mërkurën qëndroi për vizitë edhe në Beograd ku u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesit e opozitës atje.
Takimet e të dërguarit të SHBA-së vijnë para takimit të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq më 18 shkurt në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Para Escobarit, Kosovën dhe Serbinë i vizitoi edhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.













