Anëtarët e partisë ultra-të djathtë izraelite Otzma Yehudit u shfaqën në mbledhjen e Komisionit për Siguri Kombëtare të parlamentit izraelit (Knesset) me brosha të artë në formë litari për varje, gjatë diskutimit për një projektligj që do të lejonte ekzekutimin e dënimit me vdekje ndaj të paraburgosurve palestinezë.
Gjatë seancës, ministri ekstremist i sigurisë kombëtare Itamar Ben Gvir deklaroi se të gjithë deputetët e partisë së tij ishin marrë vesh të mbanin broshin simbolik, duke thënë se ai përfaqësonte “një nga mënyrat e mundshme të ekzekutimit të dënimit me vdekje”.
Ai shtoi se sipas vizionit të tyre, dënimi mund të kryhej “me varje, në karrige elektrike ose me injeksion vdekjeprurës”.
Nga kabineti i tij u njoftua se broshat simbolizojnë “angazhimin për kërkesën e dënimit me vdekje për terroristët” dhe se dërgojnë një “mesazh të qartë se terroristët meritojnë vdekjen”. Broshat në formë litari kujtojnë fjongot e verdha që mbahen si shenjë mbështetjeje për pengjet izraelite të rrëmbyera më 7 tetor 2023.
Komisioni po diskuton projektligjin që kaloi leximin e parë muajin e kaluar, por që është ndryshuar ndërkohë dhe në formën aktuale ka hapur një sërë dilemash kushtetuese, sipas paralajmërimit të këshilltarit juridik të komisionit. Projektligji has kundërshtim të ashpër nga organizatat izraelite për të drejtat e njeriut.
Ben Gvir gjatë diskutimit përsëriti se litari “është vetëm një nga opsionet” dhe se ekzistojnë edhe mënyra të tjera, përfshirë “varjen, karrigen elektrike dhe eutanazinë”. Edhe pse Shoqata Mjekësore e Izraelit e kundërshton kategorikisht këtë ligj, Ben Gvir pretendon se ka marrë “100 telefonata nga mjekë” që i kanë thënë të “japë vetëm urdhrin”.
Ministri u mburr sërish me përkeqësimin e kushteve për të burgosurit palestinezë në paraburgimet izraelite, duke përmendur raportet për rritjen e numrit të vdekjeve.
“Sot në mëngjes pashë se ishte publikuar që gjatë mandatit tim kanë vdekur 110 terroristë. Thanë se nuk kujtojnë ndonjëherë diçka të ngjashme që nga themelimi i shtetit”, deklaroi ai.
Ai hodhi poshtë pretendimet se Shërbimi Izraelit i Burgjeve është përgjegjës për këto vdekje, duke thënë se të burgosurit “kanë ardhur të sëmurë ose kanë vdekur nga lëndime të ndryshme”, por shtoi se nuk do të kërkojë falje për heqjen e asaj që ai e quan “kamp veror”, duke iu referuar kushteve të mëparshme në burgje.









