“Megjithatë, objektet e saj në anën palestineze janë shkatërruar për shkak të sulmeve ajrore izraelite, të cilat ndikuan në operacionet e saj”, tha një zëdhënës i MPJ të Egjiptit
Egjipti i ka bërë thirrje Izraelit të shmangë sulmin në pikën kufitare Rafah me Rripin e Gazës për të mundësuar riparimin dhe restaurimin pasi sulmet ajrore izraelite ndikuan në operacionet në anën palestineze, transmeton Anadolu.
Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Egjiptit në rrjetet sociale njoftoi se kalimi kufitar Rafah është i hapur dhe nuk është mbyllur që nga fillimi i përshkallëzimit të vazhdueshëm.
“Megjithatë, objektet e saj në anën palestineze janë shkatërruar për shkak të sulmeve ajrore izraelite, të cilat ndikuan në operacionet e saj. Egjipti i bën thirrje Izraelit të shmangë shënjestrimin e anës palestineze të pikës së kalimit për të lejuar riparimin dhe restaurimin”, tha ai.
Deklarata inkurajoi komunitetin ndërkombëtar, qeveritë dhe organizatat joqeveritare që të “ofrojnë ndihmë humanitare për civilët palestinezë në Gaza, si pjesë e përgjegjësisë së tyre morale dhe humanitare në përgjigje të vuajtjeve nga sulmet ajrore të vazhdueshme izraelite”.
Zëdhënësi po ashtu tha se autoritetet egjiptiane dedikuan Aeroportin Ndërkombëtar El Arish për të marrë ndihma humanitare për Rripin e Gazës.
