“Mirënjohje për forcat turke për mundësinë e dhënë dhe urime për nënoficerët tanë”, tha ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj
Dy nënoficerë kosovarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë diplomuar në Shkollën e lartë të Nënoficerëve në Republikën e Türkiye-s, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç ka njoftuar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, me këtë rast është shtuar numri i nënoficerëve profesionist nga shkollat specialistike të vendeve partnere të Kosovës.
“Dje dy nënoficerët tanë, rreshter shtabor Arben Kasumi dhe rreshter Besnik Ukshini diplomuan me sukses të lartë, në mesin e 96 kolegëve tjerë turq dhe vendeve tjera pjesëmarrëse”, theksoi Mehaj.
Ai tha se FSK do të vazhdojë me punë drejtë sukseseve të reja ndërsa falënderoi forcat turke.
“Mirënjohje për forcat turke për mundësinë e dhënë dhe urime për nënoficerët tanë”, shtoi Mehaj.
Republika e Kosovës dhe Republika e Türkiye-s kultivojnë marrëdhënie të ngushta në fushën e mbrojtjes.
Türkiye i ka ndihmuar FSK-së kryesisht përmes donacioneve por edhe në ngritjen e kapaciteteve profesionale, ndihmë të cilën pala kosovare e ka konsideruar gjithmonë si “të rëndësishme për synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO”.
