Dy aksidente të rënda trafiku në Turqi: Të paktën 16 të vdekur, dhjetëra të plagosur rëndë

Të paktën 16 persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 20 janë plagosur në dy aksidente të ndara trafiku në provincat jugore turke Antalia dhe Burdur, si pasojë e motit me shi dhe mjegull në këtë zonë.

Aksidenti i parë ndodhi në Antalia, ku një autobus pasagjerësh doli nga rruga këtë mëngjes pasi nuk arriti të marrë një kthesë dhe u përmbys në një kanal.

Në këtë aksident humbën jetën nëntë persona, ndërsa 25 u plagosën.

Guvernatori i Antalisë deklaroi se 25 persona janë plagosur, disa prej tyre në gjendje kritike. Agjencia e lajmeve raportoi se gjatë aksidentit disa pasagjerë janë hedhur jashtë automjetit.

Antalia, e cila është një destinacion i madh turistik në bregdetin mesdhetar, ditët e fundit është përballur me reshje të dendura shiu.

Stuhi të forta kanë goditur disa zona të Antalisë, duke shkaktuar dëme të mëdha në disa rrethe.

Aksidenti i dytë fatal ndodhi në provincën tjetër jugore Burdur, ku dy automjete u përplasën ballë për ballë pranë tunelit Kazak në rrugën kryesore Antalia – Isparta.

Zyra e guvernatorit të Burdurit njoftoi se në këtë aksident kanë humbur jetën shtatë persona, ndërsa pesë janë plagosur.

Kategoritë
BotaLajme