Presidenti i SHBA-së Donald Trump në maj të vitit 2025 krijoi Komisionin e Shtëpisë së Bardhë për Liritë Fetare, por më pak se një vit më vonë ai ndodhet në qendër të një skandali serioz.
Shkaku është sulmi i hapur i lobistëve dhe aktivistëve pro-izraelitë ndaj anëtares së këtij komisioni, Carrie Prejean Boller, një ish-mis që ishte emëruar nga Trump.
Boller kishte kritikuar publikisht Izraelin për krimet në Gaza, gjë që këto grupe interesi e cilësuan si “antisemitizëm”.
Sulmi në rrjetet sociale u udhëhoq nga komentatorja kontroverse Laura Loomer, e njohur për deklaratat e saj islamofobe, por edhe për mbështetjen e pakushtëzuar ndaj Izraelit.
Kur, nën presionin e këtij lobimi, Boller u përjashtua nga komisioni, kolegia e saj Sameerah Munshi dha dorëheqje në shenjë proteste ndaj këtij vendimi.
“Po jap dorëheqjen në shenjë proteste për dy zhvillime thellësisht shqetësuese: largimin zyrtar të Carrie Prejean Boller për shkak të bindjeve të saj të thella për Palestinën dhe luftën e paligjshme të qeverisë federale kundër Iranit, e nisur pa autorizim të qartë kushtetues ose të Kongresit”, shkroi Munshi.
Në deklaratën e saj ajo shtoi se disa anëtarë të Komisionit për Liritë Fetare kishin tallur fenë e saj dhe kishin treguar armiqësi ndaj komunitetit të saj, por ajo e kishte pranuar postin sepse donte të ishte një zë i arsyes dhe të mbronte liritë fetare të amerikanëve të zakonshëm, zërat e të cilëve rrallë dëgjohen në nivelet më të larta të pushtetit.
“Familja ime, si e krishterë ashtu edhe muslimane, erdhi në Amerikë duke ikur nga diskriminimi dhe përndjekja fetare. Breza më vonë, historitë e tyre kanë formuar përkushtimin tim të fortë ndaj lirisë fetare dhe bindjen time se Amerika është një strehë e sigurt për njerëzit e të gjitha feve. Muslimanët dhe besimtarët e tjerë në Amerikë kanë më shumë liri për të praktikuar fenë e tyre se pothuajse kudo tjetër në botë. Jam përpjekur ta mbroj këtë ideal përmes punës sime, por fatkeqësisht kam kuptuar se Komisioni udhëhiqet nga motive të fshehta”, shkroi ajo.
Munshi theksoi se disa nga këto çështje i kishte përmendur edhe më parë gjatë dëshmisë së saj para komisionit, përpara se të bëhej anëtare.
“Kur dëshmova para Komisionit, pikërisht këtë çështje ngrita në lidhje me muslimanët amerikanë. Në këtë vend, njerëzve të fesë u merret e drejta për shprehje të lirë dhe madje edhe jetët e tyre vihen në rrezik për shkak të bindjeve të tyre të thella për Palestinën, gjithçka në emër të një agjende politike sioniste. Largimi i një komisionereje katolike për shkak se shprehu një mospajtim të bazuar në fenë e saj është pikërisht sulmi ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë fetare kundër të cilit kam folur”, shkroi Munshi.
Megjithatë, si arsye kryesore për dorëheqjen e saj ajo përmendi përfshirjen e SHBA-së në sulmin e Izraelit ndaj Iranit.
“Më urgjente është vrasja e paligjshme e fëmijëve dhe civilëve në Iran nga kjo qeveri, e nxitur nga një shtet gjenocidal. Jo vetëm që publiku amerikan është kundër kësaj agresioni, por edhe dollarët e taksapaguesve tanë financojnë pikërisht dhunën që ne kundërshtojmë – ndaj palestinezëve të pafajshëm dhe tani edhe ndaj iranianëve. Me veprimet e saj, kjo administratë po tregon qartë se nuk ka respekt për mbrojtjen kushtetuese të lirisë së shprehjes dhe lirisë fetare, as për dispozitat kushtetuese për autorizimet e luftës”, tha ish-anëtarja e Komisionit për Liritë Fetare.
Ajo theksoi veçanërisht se nuk po jep dorëheqje nga frika apo për shkak të presioneve nga ndonjë person i lidhur me komisionin, qeverinë apo ndonjë grup interesi.
“Po jap dorëheqjen sepse kam parë nga afër padrejtësinë që bëjnë anëtarët e këtij komisioni dhe nuk jam më e gatshme të jem e lidhur me këtë. Kam parë mungesën e respektit të kësaj administrate të korruptuar dhe të rrezikshme ndaj qytetarëve amerikanë dhe jetëve të njerëzve të pafajshëm dhe nuk jam më e gatshme të jem pjesë e kësaj. Unë mbështes Amerikën para Izraelit, dhe fatkeqësisht kjo do të thotë se nuk mund ta mbështes Trumpin dhe as këtë qeveri”, shkroi Sameerah Munshi.










