Donald Trump planifikon të padisë BBC-në dhe të kërkojë deri në pesë miliardë dollarë dëmshpërblim

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se do të padisë BBC-në për miliarda dollarë pasi transmetuesi publik britanik publikoi një insert të montuar dhe mashtrues nga një prej fjalimeve të tij.

BBC i kërkoi falje Trumpit për incidentin, por tha se nuk e ka shpifur dhe se nuk do të paguajë dëmshpërblim financiar. Drejtori i përgjithshëm dhe drejtuesja e lajmeve dhanë dorëheqjen pas skandalit.

“Do t’i padisim për mes një dhe pesë miliardë dollarë, ndoshta javën e ardhshme. Duhet ta bëj këtë. Ata mashtruan. Ndryshuan fjalët që dilnin nga goja ime,” tha Trump, duke folur për gazetarët në Air Force One të premten mbrëma.

Kontroversia lidhet me emisionin “Panorama” të BBC-së, i cili kishte montuar dy pjesë të largëta të një fjalimi të Trumpit më 6 janar 2021 – thirrjen e tij drejtuar përkrahësve për të marshuar drejt Kapitolit dhe, më shumë se 50 minuta më vonë, frazën e tij “Luftojmë. Luftojmë si djalli” – duke krijuar përshtypjen se ishin thënë njëra pas tjetrës.

Avokatët e Trumpit i dhanë BBC-së afat deri të premten për të publikuar tërheqjen, kërkimfaljen dhe për t’u pajtuar me pagesën e dëmshpërblimit. BBC nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së NBC News për koment pas deklaratave të Trumpit.

Në mbrëmjen e së enjtes, BBC publikoi një korrigjim, duke pranuar se montazhi “jepte përshtypjen e gabuar se presidenti Trump kishte bërë thirrje të drejtpërdrejtë për veprim të dhunshëm” dhe se inserti nuk do të transmetohej më.

Kreu i BBC-së, Samir Shah, i dërgoi një letër të personalizuar Shtëpisë së Bardhë, ku ai dhe korporata kërkonin falje për montazhin. Megjithatë, zëdhënësi i tij tha se BBC “nuk pajtohet aspak” që ekziston bazë ligjore për padi për shpifje.

Tony Hall, drejtor i përgjithshëm i BBC-së nga viti 2013 deri në 2020, tha të shtunën se transmetuesi publik “nuk duhet të paguajë asnjë shumë parash për Donald Trumpin”.

“Po flasim për para publike. Nuk do të ishte e duhura,” tha ai.

Trump, në një intervistë të mëhershme të premten, tha se ai ka “detyrim” ta padisë BBC-në.

“Kjo është më shumë se e rreme. Kjo është korrupsion,” deklaroi ai për televizionin britanik GB News.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha të mërkurën se BBC “duhet t’i vërë gjërat në rregull” kur bën gabime, por shprehu mbështetjen e tij për transmetuesin publik.

“BBC duhet të mbajë standardet më të larta dhe të korrigjojë gabimet shpejt, por unë gjithmonë do të mbështes një BBC të fortë dhe të pavarur,” u shpreh ai.

Trump tha të premten se nuk e kishte diskutuar çështjen me Starmerin, por se kryeministri i kishte kërkuar një bisedë dhe se ai do ta telefononte gjatë fundjavës.

Drejtori i përgjithshëm Tim Davie, bashkë me shefen e lajmeve Deborah Turness, u larguan nga BBC javën e kaluar, duke deklaruar se skandali po dëmtonte korporatën dhe se “si drejtues i BBC News and Current Affairs, përgjegjësia bie mbi mua”.

Trump ka fituar edhe më parë padi të mëdha kundër mediave amerikane.

Në korrik, kompania Paramount njoftoi se kishte zgjidhur një padi të ngritur nga Trump, i cili akuzonte emisionin “60 Minutes” të CBS News për transmetim të një inserti të montuar të intervistës me Kamala Harris, për të cilin Trump pretendonte se kishte ndikuar padrejtësisht në zgjedhjet e vitit 2024.

Kategoritë
BotaLajme