Detaje të reja mësohen nga aksidenti tragjik i ndodhur pasditen e sotme në aksin Elbasan-Peqin ku humbi jetën një 8-vjeçare, ndërsa 5 persona të tjerë mbetën të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:50, kur një automjet me targa të Gostivarit, i cili drejtohej nga shtetasja T.B, ka humbur drejtimin dhe është përplasur kokë më kokë me një makinë, me drejtues shtetasin A.H, banues në Kavajë.
Mësohet se gruaja udhëtonte me dy vajzat e saj dhe viktimë ka mbetur njëra prej tyre, vetëm 8 vjeç.
Të plagosura kanë mbetur drejtuesja e automjetit, vajza tjetër e saj 11 vjeç dhe 3 persona që ndodheshin në automjetin tjetër.
Njoftimi i Policisë:
Elbasan/Informacion paraprak
Rreth orës 16:30, në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në fshatin Paulesh, shtetasja T. B., duke drejtuar automjetin tip “Golf”, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. H., banues në Kavajë.
Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë një shtetase e mitur 8 vjeçe, pasagjere në automjetin me drejtuese shtetasen T. B.
Gjithashtu, janë dëmtuar shtetasja T. B. dhe vajza e saj 11 vjeçe, të cilat ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë dërguar në spital, për ndihmë mjekësore, edhe shtetasi A. H. dhe 2 pasagjerët që udhëtonin me të, të cilët aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

