Detaje të aksidentit ajror në Kroaci: Vdiq piloti turk që kishte mbijetuar rrëzimin e avionit tre muaj më parë

Pranë qytetit Senj në Kroaci, dje u rrëzua një avion Air Traktor AT-802 që ishte në një fluturim rrethor mes Rijekës dhe Zagrebit, njoftoi Drejtoria e Mbrojtjes Civile të Republikës së Kroacisë.

Në aksident humbi jetën piloti 45-vjeçar turk Hasan Bahar. Bëhet fjalë për të njëjtin pilot që më 29 gusht të këtij viti kishte mbijetuar rrëzimin e një avioni zjarrfikës në rrethin Yatağan të Muğlës në veriperëndim të Turqisë.

Drejtoria e Mbrojtjes Civile mori sinjalin për zhdukjen e avionit nga radari nga Kontrolli Kroat i Trafikut Ajror në orën 16:53, ndërsa në 17:11 mbërriti njoftimi për rrëzimin dhe shpërthimin e zjarrit.

Ekipet e shpëtimit arritën shumë shpejt në vendngjarje. Zjarri u lokalizua në orën 18:00, dhe zjarrfikësit konstatuan një trup të karbonizuar të pilotit.

Sipas informacioneve jozyrtare, dy avionë turq Airtractor po fluturonin nga drejtimi i Rijekës drejt Zagrebit, por janë detyruar të kthehen për shkak të mjegullës.

Njëri prej tyre u ul në aeroportin e ishullit Krk, ndërsa tjetri u zhduk.

Kryehetuesi i aksidenteve ajrore, Danko Petrin, deklaroi se bëhet fjalë për një avion pune, të cilin forcat kroate e përdorin shpesh gjatë shuarjes së zjarreve.

Portali kroat 24sata.hr shkruan se avionin e kanë gjetur zjarrfikësit pranë një shkolle lokale.

Hetimet paraprake tregojnë se piloti pak para rrëzimit kishte lëshuar një thirrje ndihme – sinjalin Emergency – dhe menjëherë pas kësaj ishte zhdukur nga radari.

Kategoritë
BotaLajme