Shtetet e Bashkuara kanë përdorur një armë të fuqishme dhe misterioze, e cila gjatë operacionit për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, shkaktoi gjakderdhje nga hunda dhe vjellje me gjak te ushtarët venezuelianë. Kjo thuhet në një dëshmi të publikuar në rrjetin X, e cila u transmetua nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Në intervistë, një pjesëtar i sigurimit përshkroi se si forcat amerikane eliminuan qindra luftëtarë pa asnjë ushtar të vrarë, duke përdorur një teknologji të cilën ai nuk e kishte parë apo dëgjuar kurrë më parë.
“Ne ishim në roje, por papritur të gjitha sistemet tona të radarit pushuan së funksionuari pa asnjë shpjegim. Gjëja tjetër që pamë ishin dronët, shumë dronë, duke fluturuar mbi pozicionet tona. Nuk dinim si të reagonim”, tha rojtari.
Disa çaste më vonë u shfaqën disa helikopterë, të cilët në atë zonë zbritën, sipas vlerësimit të tij, vetëm rreth 20 ushtarë amerikanë.
Por këta njerëz, siç thotë ai, ishin të armatosur me diçka shumë më të fuqishme se pushkët.
“Ishin jashtëzakonisht të avancuar teknologjikisht. Nuk ngjanin me asgjë kundër së cilës kishim luftuar më parë”, kujtoi ai.
Ajo që pasoi, tha ai, nuk ishte betejë, por masakër.
“Ne ishim qindra, por nuk kishim asnjë shans. Qëllonin me një saktësi dhe shpejtësi të tillë; dukej sikur secili ushtar lëshonte 300 plumba në minutë”, tha ai.
Më pas erdhi arma që vazhdon ta përndjekë edhe sot.
“Në një moment lëshuan diçka; nuk di si ta përshkruaj. Ishte si një valë zanore jashtëzakonisht e fuqishme. Papritur pata ndjesinë sikur koka po më shpërthente nga brenda”, shtoi ai.
Pasojat ishin të menjëhershme dhe të tmerrshme, shkruan New York Post.
“Të gjithë filluam të na rridhte gjak nga hunda. Disa vjellnin gjak. Ramë në tokë, të paaftë të lëviznim. As nuk mund të ngriheshim në këmbë pas asaj arme zanore ose çfarëdo që ishte”, tha ai.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Venezuelës, në sulmin e 3 janarit janë vrarë rreth 100 pjesëtarë të forcave venezueliane të sigurisë.
Nuk është e qartë nëse ndonjëri prej tyre ka humbur jetën pikërisht nga ajo armë misterioze.
Mbrojtësit e pafuqishëm dhe të tejkaluar nuk arritën të ofrojnë rezistencë, ndërsa një njësi e vogël amerikane i eliminoi, tha rojtari.
“Ata njëzet njerëz, pa asnjë humbje, vranë qindra prej nesh. Nuk kishim asnjë shans kundër teknologjisë së tyre, armëve të tyre. Betohem, kurrë nuk kam parë diçka të tillë”, shtoi ai.
Ushtritë prej vitesh posedojnë armë me energji të drejtuar, të cilat neutralizojnë objektivat duke përdorur energji të fokusuar si mikrovalë apo rreze lazeri, por kjo mund të jetë hera e parë që SHBA i kanë përdorur në luftë, tha për The Post një burim nga komuniteti i inteligjencës amerikane.
Sipas pretendimeve, Kina në vitin 2020 ka përdorur armë mikrovalore kundër ushtarëve indianë gjatë një konflikti kufitar në Ladakh.
Burimi theksoi se një armë e tillë ka aftësinë të shkaktojë të paktën disa nga simptomat e përshkruara, përfshirë “gjakderdhje, pamundësi për të lëvizur ose funksionuar, dhimbje dhe ndjenjë djegieje”.











