“Deri më 2027 e ke këtë gjendje…”, rrëfimi i mërgimtarit që u trajtua te Sllamniku për shërimin e astmës

Konspiracionisti Arianit Sllamniku ka përfunduar në prangat e Policisë pas raportimit të emisionit “Kiks Kosova” në Klan Kosova, lidhur me veprimtarinë e tij të dyshimtë për ofrimin e shërbimeve që pretendonin “shërimin” e autizmit.

Hetimet ndaj tij kanë nisur për dy vepra penale, ndërsa Policia Rajonale e Gjilanit ka ftuar të gjithë qytetarët që kanë marrë shërbime apo konsulta nga Sllamniku që të paraqiten për intervistim, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.

Pas kësaj thirrjeje, në redaksinë e Klan Kosovës është paraqitur një mërgimtar nga Franca, i cili ka rrëfyer përvojën e tij gjatë trajtimeve në “Api Terapia Katundi”, e drejtuar nga vetë Sllamniku.

I ndikuar nga pretendimet e këtij profili, i cili paraqitej si adresë e besueshme për “shërim të plotë të migrenës, sinusëve, alergjive nga poleni dhe pluhuri, bronsitit, astmës dhe ngritjes së imunitetit”, kosovari vendosi të kërkojë trajtim në gusht të vitit të kaluar.

Me shpresën për t’u shëruar nga astma, ai iu nënshtrua trajtimeve në “Api Terapia”.

Për Klankosova.tv, ai tregoi se kishte marrë pjesë në rreth 10 seanca (ku një seancë kushtonte 10 euro), gjatë të cilave i ishte propozuar një trajtim me disa minerale, për të cilat i ishte thënë se vinin nga një laborator në Amerikë, dhe për të cilat do të duhej të paguante qindra euro.

“Jam i sëmurë nga astma pothuajse që nga lindja. Në gusht të vitit 2025 kam qenë për seanca të ‘Api Terapisë’ te Arianit Sllamniku. Kam bërë rreth 10 seanca. Në seancën e parë nuk më ka propozuar asgjë, ndërsa në të dytën më ka propozuar një trajtim më të thellë me minerale, sipas tij. As ne nuk e dinim se çfarë ishin ato minerale. E vetmja gjë që na ka thënë ishte se vinin nga një laborator në Amerikë dhe çmimi ishte 700 euro”, tha ai për Klan Kosovën.

Megjithëse fillimisht kishte besuar, mërgimtari tregon se vendosi të konsultohej me një mjek specialist në Francë, për çka e kishte njoftuar edhe Sllamnikun.

Sipas tij, pikërisht ky moment e ndryshoi qasjen e Sllamnikut, transmeton Klankosova.tv

“Në fillim kishim dyshime se çfarë të bënim, por ditë pas dite vendosëm të konsultoheshim me mjekun specialist në Francë. Sapo ia tregova se do të konsultohesha me mjekun tim, ai e ndryshoi qasjen ndaj nesh. Ishte më pak mikpritës dhe çdo ditë insistonte gjithnjë e më pak. Pas rreth 10 ditësh, ai mori vendimin që të mos i vazhdoja më seancat”, tha ai.

Në mesazhet e shkëmbyera mes tyre, Sllamniku i kishte thënë që ta vazhdonte mjekimin në Francë, duke theksuar se seancat e kryera ishin të mjaftueshme “për me hjek merakun”.

Por, para përfundimit të bisedës, ai i ishte drejtuar me fjalët: “Veç se unë po ta them edhe këtë mos e harro DERI NË VITIN 2027 E KE KËTË GJENDJE DHE PASTAJ TEPOSHTË. KREJT TEPOSHTË”.

Këto mesazhe, mërgimtari thotë se e kishin shokuar, por ai nuk kishte hezituar t’i përgjigjej Sllamnikut, i cili e kishte vazhduar bisedën.

“Unë atë që e di dhe jam i bindur e them. Ti mos mendo se me këtë më frikëson diçka”, ishte përgjigjja e tij.

Kategoritë
LajmeVendi