Në Bundestag dje u mbajt një debat për politikën e jashtme të Gjermanisë, ku disa deputetë të partisë Die Linke kritikuan NATO-n. Si shembull ata përdorën ndërhyrjen në Serbi kundër regjimit të presidentit të atëhershëm Slobodan Miloheviç.
Deputetët e kësaj partie shpesh e përdorin rastin Milošević si argument se Gjermania nuk duhet të jetë pjesë e NATO-s, ndërsa në seancën e djeshme ndaj këtij narrativi reagoi deputeti i SPD-së, Adis Ahmetović.
“Gjatë seancave të fundit kemi dëgjuar vazhdimisht, shpesh edhe nga e djathta, këtë narrativ se në vitin 1999 u krijua një precedent me bombardimin e ish-Jugosllavisë nga NATO-ja dhe se ky narrativ sot po përdoret sërish, në mënyrë shumë të fortë, nga fraksioni juaj. Në kuadër të pikës së rendit të ditës për situatën e politikës së jashtme të kancelarit, ky narrativ përdoret për të legjitimuar potencialisht sulmin e paligjshëm të Rusisë ndaj Ukrainës dhe shkelje të tjera të së drejtës ndërkombëtare,” tha Ahmetović në Bundestag.
Më pas ai paraqiti edhe arsyet pse deputetët e Die Linke, por edhe të partive të tjera, nuk duhet ta përdorin këtë shembull.
“Dua t’ju them vetëm një gjë: vazhdimisht, sa herë që përdorni këtë narrativ, harroni viktimat e Srebrenicës të vitit 1995, sepse atëherë nuk pati ndërhyrje humanitare. Kur përdorni këtë narrativ, harroni mbi të gjitha edhe viktimat në Kosovë. Mijëra njerëz gjithashtu u bënë viktima të masakrave të Miloševićit,” theksoi ai.
Deputeti i SPD-së shtoi se ndërhyrja ishte e suksesshme sepse parandaloi atë që kishte ndodhur në Srebrenicë katër vjet më parë.
“Ajo që nuk funksionoi në vitin 1995, në vitin 1999, falë ndërhyrjes humanitare – përfshirë edhe vendimin e këtij Bundestagu gjerman – funksionoi: që gjenocidi të mos përsëritej. Pse në këtë Shtëpi të Lartë sërish mbroni Miloševićin dhe diktatorë të tjerë, si dhe një narrativ që është kundër demokracisë dhe të drejtave të njeriut, e që nuk qëndron në anën e viktimave, e mbi të gjitha të njerëzve në Ballkanin Perëndimor?” pyeti Ahmetović.
Ndërkohë, debatin për politikën e jashtme gjermane e nisi kancelari Friedrich Merz, i cili para parlamentit foli për tema si agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe marrëdhëniet brenda NATO-s që nga ardhja e Donald Trumpit në postin e presidentit të SHBA-së.


















