Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar pjesërisht padinë e Mustafë Graincës kundër, tashmë Kryekuvendarit Dimal Basha, duke e detyruar këtë të fundit të paguajë kompensim prej 25,000 eurosh për dëmin e shkaktuar nga shpifjet dhe fyerjet e publikuara në portalin “Insajder” dhe në Facebook.
Aktgjykimi, i nënshkruar më 22 korrik 2025 nga gjyqtarja Kreshnike Zymberi Beqiri, përmban disa dispozita të rëndësishme.
Sipas vendimit gjyqësor, Basha detyrohet të tërheqë shkrimin editorial të publikuar më 1 korrik 2019 në “Insajder”, si dhe shkrime të tjera të datuara 22 korrik, 10 shtator dhe 30 janar 2020, të publikuara në llogarinë e tij në Facebook.
“DETYROHET i padituri që ta tërheq shkrimin editorial të publikuar në portalin ‘Insajder’ me datë 01.07.2019 si dhe të tërheq shkrimet e datave 22.07.2019, 10.09.2019, 10.01.2020, 22.01.2020 dhe 30.01.2020 të publikuar në llogarinë e tij në rrjetin sociale ‘Facebook’,” thuhet në aktgjykimin e publikuar nga Paparaci.
Gjykata ka shkuar edhe më tej, duke urdhëruar që Basha të kërkojë falje publike për z. Grainca, si në portalin “Insajder” ashtu edhe në llogarinë e tij në Facebook. Kjo duhet të bëhet brenda tetë ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, nën kërcënimin e pasojave ligjore.
“DETYROHET i padituri që t’i kërkoj falje publike paditësit, e cila duhet të bëhet në portalin ‘Insajder’ ku është bërë publike përmbajtja fyese dhe shpifëse si dhe në llogarinë e tij në rrjetin sociale ‘Facebook’, me premtimin se nuk do ta përsërisë fyerje të tilla,” thuhet në vendim.