Një delegacion i lartë nga sistemi i drejtësisë së Kosovës, i përbërë nga Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, si dhe Drejtori i Akademisë së Drejtësisë së Kosovës, Enver Fejzullahu, zhvilloi një vizitë zyrtare në Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA).
Delegacioni u prit nga Presidenti i TİKA-s, Abdullah Eren, ku gjatë takimit u diskutua për shkëmbimin e përvojave në fushën e drejtësisë, forcimin e bashkëpunimit institucional, si dhe identifikimin e hapave konkretë për realizimin e projekteve të përbashkëta në të ardhmen.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe avancimi i kapaciteteve profesionale në sektorin e drejtësisë, përmes bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndarjes së praktikave më të mira.
Nga TİKA u theksua se, duke u mbështetur në trashëgiminë e përbashkët historike dhe marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Turqisë dhe Kosovës, institucioni do të vazhdojë me përkushtim mbështetjen e iniciativave që synojnë forcimin e miqësisë, besimit dhe partneritetit strategjik, me qëllim ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm për të ardhmen./GAZETA E RE












