Dimri goditi fuqishëm një pjesë të madhe të Austrisë, pasi sasi të mëdha dëbore shkaktuan kolaps në shumë rrugë, si edhe në aeroportin e Vjenës, ku fluturimet u pezulluan përkohësisht. Gjatë pastrimit të dëborës, fatkeqësisht humbi jetën një punonjës i shërbimeve komunale, ndërsa shumë qytete mbetën pa energji elektrike.
Aksidenti tragjik ndodhi të premten në mëngjes në Linz-Ebelsberg. Një punonjës i shërbimit dimëror goditi dhe përplasi kolegun e tij të ri (29) me borëpastruese. Burri vdiq në vendngjarje, raportojnë mediat austriake.
Dëbora në aeroportin e Vjenës
Situata në aeroportin e Vjenës ishte veçanërisht e tensionuar të premten në mëngjes për shkak të ndërprerjes së operimeve, që çoi në anulimin e shumë fluturimeve. Shumë pasagjerë mbetën të bllokuar në aeroport dhe në sportele u krijuan radhë të gjata.
Pastrimi i dëborës në aeroport u vështirësua nga reshjet e pandërprera
Nga aeroporti i Vjenës njoftuan se trafiku ajror do të pezullohej të paktën deri në orën 13:00, për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe të dendura të dëborës.
Aktualisht, në aeroport janë angazhuar rreth 200 punonjës dhe mbi 100 mjete për pastrimin e dëborës dhe proceset e de-akullimit. Në dymbëdhjetë orët e fundit janë larguar rreth 1.000 kamionë me dëborë, me peshë totale afro 15.000 tonë, megjithatë reshjet intensive nuk po ndalen.
Kolaps në trafik dhe aksidente
Probleme pati edhe në transportin hekurudhor, pasi trenat në linjën e re perëndimore në Austrinë e Poshtme qarkulluan vetëm në një shinë për shkak të një defekti. Kjo solli vonesa dhe disa anulime, raportojnë mediat lokale.
Nga Karinthia deri në Austrinë e Poshtme, shumë rrugë janë gjithashtu të pakalueshme. Sipas të dhënave të Klubit Auto-Moto të Austrisë (ÖAMTC), mjetet e rënda të transportit po bllokohen në shumë segmente të mbuluara nga dëbora, duke penguar qarkullimin, ndërsa janë shënuar edhe aksidente. Drejtuesve u këshillohet të shtyjnë udhëtimet jo të domosdoshme.
Një kamion i bllokuar në rrugë (Foto: Freiwillige Feuerwehr Lassing).
Që nga mbrëmja e së enjtes, 450 njësi zjarrfikëse në Austrinë e Poshtme kanë reaguar ndaj 374 incidenteve. Shumica ndodhën në jug të vendit, por u prekën rëndë edhe zona e St. Pöltenit dhe distrikti Mödling.
Nga e enjtja deri të premten në orën 08:00, Shërbimi Zjarrfikës i Vjenës iu përgjigj rreth 100 thirrjeve shtesë.
Zjarrfikësit duke u përpjekur të zgjidhin problemet e shkaktuara nga dëbora
Zjarrfikësit në Vjenë reaguan kryesisht ndaj aksidenteve të vogla me automjete ose kamionë të bllokuar. Ata gjithashtu u detyruan të largojnë pemë të rrëzuara dhe degë të thyera nga rrugët.
Qytete pa energji elektrike
Reshjet e dendura të dëborës kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike në disa pjesë të Austrisë, veçanërisht në provincat Steiermark dhe Burgenland.
Të premten në mëngjes, sipas mediave lokale, rreth 30.000 familje mbetën pa energji në Steiermark. Rajonet jugore, lindore dhe perëndimore të Steiermarkut, si edhe zona e Grazit, janë prekur më së shumti. Dy linja të tensionit të lartë janë dëmtuar, duke dëshmuar për shkallën e problemeve.
Reshjet e shumta dhe grumbullimet e dëborës shkaktuan thirrje të shumta për zjarrfikësit në Burgenland. Në shumë zona, gjatë natës ra dëborë jashtëzakonisht e dendur, me mbi 30 centimetra dëborë të freskët. Qytete të tëra mbetën pa energji dhe shkollat sot qëndruan të mbyllura, raporton Kronen Zeitung.


















