Data e sulmit të Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit ka domethënie simbolike në judaizëm: Sërish në fokus “populli i Amalekut”

Forcat izraelite dhe amerikane nisën të shtunën sulme të gjera në mbarë Iranin, ndërsa CNN thekson se sulmi u ndërmor në prag të një date të rëndësishme për judaizmin.

Koha e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit ka një kuptim simbolik në traditën hebraike. Në prag të festës hebraike të Purimit, besimtarët lexojnë një fragment të veçantë nga Dhiata e Vjetër, i njohur si “Zahor”.

Ky fragment nga libri i Ligjit të Përtërirë (Deuteronomi) urdhëron izraelitët e lashtë që të kujtojnë sulmin e paprovokuar të popullit të Amalekut dhe të zhdukin kujtimin e Amalekut pasi izraelitët të vendosen në tokën e tyre.

Ky fragment lexohet publikisht para Purimit për të përmbushur të ashtuquajturën “micva” (urdhër fetar) për të kujtuar Amalekun si armikun më të madh të Izraelit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka konsideruar Iranin si Amalek që në vitin 2009, kur kapacitetet bërthamore të vendit tashmë përbënin një shqetësim në rritje.

Në Bibël ekzistojnë disa rrëfime dhe referenca për amalekitët, përfshirë sulmin e tyre ndaj izraelitëve në Librin e Eksodit; urdhrin “Kujto çfarë të bëri Amaleku” në Ligjin e Përtërirë; një tjetër urdhër në të njëjtin libër për “të fshirë kujtimin e Amalekut”, që interpretohet si shkatërrimi i amalekitëve; si dhe rrëfimin për sulmin dhe shkatërrimin e amalekitëve nga mbreti Saul në Librin e Parë të Samuelit.

Kategoritë
BotaLajme