Dallimet kryesore mes propozimit rus dhe atij amerikan

Drafti rus i dorëzuar të enjten është paraqitur si alternativë ndaj rezolutës amerikane, e cila është kundërshtuar nga Moska, Pekini dhe disa shtete arabe. Kremlini ka kritikuar draftin amerikan sepse nuk përfshin “zgjidhjen me dy shtete”, të cilën Rusia e konsideron të domosdoshme për çdo marrëveshje të qëndrueshme.

Edhe pse pjesërisht i frymëzuar nga propozimi amerikan, drafti rus pretendohet se ofron qasje më të balancuar, duke adresuar stabilitetin afatgjatë dhe konsensusin ndërkombëtar.

Në projekt-rezolutën ruse kërkohet që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së të identifikojë opsione për krijimin e forcave ndërkombëtare në Gazë. Megjithatë, bie në sy se mungon përmendja e “Komitetit të Paqes”, një autoritet tranzitor i përfshirë në draftin amerikan.

Ndërkohë, plani 20-pikësh i presidentit amerikan Donald Trump për Gazën – i cili përfshin një kornizë të fazuar paqeje dhe marrëveshjen e tetorit mes “Izraelit” dhe Hamasit për lirimin e pengjeve – është bashkangjitur draftit amerikan.

Trump ka përjashtuar mundësinë e dislokimit të trupave amerikane në Gazë, por ka zhvilluar bisedime me vende si Indonezia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Katari, Turqia dhe Azerbajxhani për kontribut në një forcë të propozuar prej 20.000 trupash.

Të premten, SHBA, Katari, Egjipti, EBA, Arabia Saudite, Indonezia, Pakistani, Jordania dhe Turqia publikuan një deklaratë të përbashkët duke shprehur “mbështetjen kolektive” për draftin amerikan dhe duke kërkuar që Këshilli i Sigurimit ta miratojë “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Delegacioni amerikan paralajmëroi se draftet konkurruese mund të rrezikojnë progresin.

“Përpjekjet për të krijuar përçarje tani, kur marrëveshja për këtë rezolutë është në negociata aktive, kanë pasoja serioze dhe të evitueshme për palestinezët në Gazë,” tha zëdhënësja e misionit amerikan. “Armëpushimi është i brishtë dhe u bëjmë thirrje anëtarëve të Këshillit të ecin përpara në unitet.”

Qëndrimi i Rusisë: Një paqe e qëndrueshme vetëm me shtetin palestinez të vitit 1967

Moska vazhdon të kërkojë zgjidhjen përfundimtare të bazuar në formulën e miratuar më parë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së: krijimin e shtetit sovran palestinez brenda kufijve të vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

Kategoritë
BotaLajme