Daily Mail tregon në detaje rënien e ndikimit të Grenellit tek Trumpi – ai sot është ndër më të urryerit e shefes së stafit të presidentit amerikan

Richard Grenell kaloi vite duke u përpjekur të depërtonte në strukturat e ashpra të lëvizjes MAGA, duke treguar ambicie të fortë për të marrë drejtimin e komunitetit amerikan të inteligjencës në vitin 2020.

Ai u pozicionua si një nga figurat më luftarake dhe më besnike ndaj Donald Trump, duke synuar postet më të larta të administratës.

Gjashtë vite më vonë, në një moment kur Trump ndodhej sërish në kulmin e pushtetit politik, Grenell u gjend në krye të Qendrës Kennedy – një rol që për shumëkënd u duk si një largim nga qendra reale e vendimmarrjes. Sipas Daily Mail, edhe ky pozicion tashmë është në pikëpyetje.

Kthesa e fundit në karrierën e tij erdhi pasi Trump njoftoi mbylljen e Qendrës Kennedy për një rinovim dyvjeçar. Ky vendim pasoi një periudhë të trazuar për institucionin, të shoqëruar me polemika të brendshme dhe anulime të bujshme gjatë drejtimit të Grenell.

“Ristrukturimi i plotë” i paralajmëruar e ka lënë atë në një situatë të pasigurt, si në kuptimin praktik, ashtu edhe në atë simbolik.

Burime që kanë bashkëpunuar me të në Qendrën Kennedy e përshkruajnë si një figurë të fortë dhe të paparashikueshme. “Ishim të tronditur. Ekziston frika se ai mund të përmbysë gjithçka”, tha një prej tyre.

Grenell, 59 vjeç, nga Michigan, ka ndërtuar imazhin si një diplomat rebel, që shmang protokollet tradicionale për të prodhuar rezultate direkte për një audiencë të vetme: presidentin. Megjithatë, ndikimi i tij në administratën Trump nisi të zbehej gradualisht, transmeton Telegrafi.

Përplasja më e fortë u zhvillua rreth çështjes së Venezuelës, ku ai u emërua i dërguar special në fillim të mandatit të dytë të Trump. Fillimisht, qasja e tij më pragmatike – e fokusuar në negociata dhe lirimin e të burgosurve – dha disa rezultate. Por shumë shpejt u krijua një përçarje me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Ndërsa Rubio mbronte një strategji të “presionit maksimal” ndaj regjimit të Nicolas Maduro-s, Grenell preferonte një qasje më fleksibile, të bazuar në diplomaci dhe marrëveshje ekonomike. Sipas burimeve diplomatike, kjo përplasje përfundoi me largimin e tij gradual nga dosja e Venezuelës, me mbështetjen e shefes së kabinetit, Susie Wiles ndaj Rubios.

Kategoritë
BotaLajme