Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sërish ka dhënë një sqarim për deklaratën se “çmontuam mbi 900 banda kriminale për pesë vjet”, gjë për të cilën ajo tha se u bë pa qëllim, ndërsa theksoi se bëhej fjalë për rastet e bandave kriminale që kanë qenë të involvuara në qindra raste, shkruan Reporteri.net.
Para gazetarëve, Osmani theksoi se nga këto raste, 93 janë vetëm ndaj ushtarëve të KFOR-it.
“Dje kemi dhënë një sqarim zyrtar. Janë bërë ndryshimet e nevojshme dhe ka qenë e qartë se ajo që kam pasur në mendje ka qenë numri i rasteve, sepse, siç e kemi thënë edhe më herët, bandat serbe kanë qenë të involvuara në qindra raste – qoftë në keqpërdorimin e votave nga viti 2021 e tutje, pastaj në presionin e vazhdueshëm ndaj qytetarëve të tjerë serbë, futjen e armëve ilegale, dhunën ndaj qytetarëve, djegien e makinave, si edhe sulmet ndaj gazetarëve. Vetëm 93 raste i kemi të evidentuara ndaj ushtarëve të KFOR-it. Pra, kemi qindra e qindra raste ku bandat serbe kanë qenë të përfshira në krime. Ajo që kam thënë ka qenë e lidhur me rastet, dhe ka qenë një gabim i paqëllimshëm. Menjëherë është bërë ndryshimi i nevojshëm në intervistë dhe as “Politico” nuk e ka përdorur atë pjesë. Ajo deklaratë nuk ka dalë në mediat ndërkombëtare sepse jemi siguruar që të bëhet korrigjimi zyrtar”,tha Osmani për media.
Mbrëmë pati edhe një deklaratë të lëshuar nga Presidenca e Kosovës, si sqarim për atë çfarë kishte thënë Osmani, duke theksuar se bëhej fjalë për raste e jo numër bandash.
“Siç e dini, disa banda serbe të veriut kanë qenë të involvuara në qindra raste të veprave penale. Në asnjë moment Presidentja nuk e ka paraqitur Kosovën si vend të krimit, por si vend të rendit e ligjit dhe si vend ku respektohen në vazhdimësi vlerat evropiane të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, tha mbrëmë Këshilltari i Presidentes Osmani, Bekim Kupina për Reporteri.net.
/Reporteri.net/












