Biznesmeni nga Emiratet i dërgonte Epstein-it foto ku dyshohej se ishte edhe Angela Merkel e zhveshur: “Kancelarja në rini”

Mes shumë emrave që gjenden në dokumentet e lidhura me Jeffrey Epstein, shfaqet edhe emri i ish-kancelares gjermane Angela Merkel, ndërsa një nga korrespondencat ishte veçanërisht e çuditshme.

Në këtë histori përfshihet edhe bashkëpunëtori shumëvjeçar i Epstein-it, Sultan bin Sulayem, emri i të cilit përmendet shpesh në këto dokumente. Në një email që Bin Sulayem ia dërgoi Epstein-it më 14 prill 2013, ishin bashkangjitur edhe fotografi të vajzave të zhveshura pranë një liqeni.

“Kancelarja Merkel në rini”, i shkroi Bin Sulayem Epstein-it.

Në bashkëngjitjen e emailit ndodhej një fotografi që Ministria e Drejtësisë së SHBA-së e kishte redaktuar para publikimit. Fotografia origjinale paraqet tri gra të zhveshura pranë një liqeni. Njëra prej tyre i ngjan Angela Merkel-it.

Kjo fotografi ka qarkulluar edhe më herët në internet dhe për publikimin e saj nga Gjermania më parë janë akuzuar hakerë. Interesante është se në formën fillestare, fotografitë janë shpërndarë përmes kanaleve online që gjithashtu ishin lidhur me një të dënuar për krime seksuale. Po ashtu, pasi fotot u shfaqën për herë të parë në publik, njerëz të afërt me Angela Merkel-in deklaruan se ajo nuk ishte personi në to.

Epstein herë pas here tregonte interes për jetën private të Angela Merkel-it. Për shembull, më 6 janar 2014 ai i përcolli një kontakti një raport lidhur me aksidentin e saj në skijim në Zvicër dhe thyerjen e legenit që pasoi.

Përveç jetës private, Epstein shkëmbente shpesh mesazhe edhe me ish-këshilltarin e Trump-it, Steve Bannon, për situatën në Gjermani.

Sipas raportimit të Der Spiegel, Epstein dhe Bannon shkëmbenin rregullisht mesazhe përmes chat-it dhe email-it gjatë viteve 2018–2019 — për politikën botërore, sukseset zgjedhore të populizmit të djathtë, takime personale dhe ndikim strategjik në Evropë.

Në ditën e dorëheqjes së kryeministres britanike Theresa May në maj 2019, Bannon i shkroi me eufori Epstein-it:
“May ka ikur, Merkel dhe Emmanuel Macron të hënën.”

Epstein iu përgjigj shkurt: “Punë e mirë”.

Ish-kancelarja Merkel ka një rol të veçantë në dosjet e Epstein-it. Në shumë mesazhe ajo paraqitet si simbol i BE-së “globaliste” të urryer. Sipas Der Spiegel, Steve Bannon e ka quajtur publikisht atë edhe politikanen më shkatërruese të shekullit XXI.

Kategoritë
BotaLajme