Bislimi pas takimit: Pala serbe s’pati ide si të trajtohet propozimi fillestar i Lajçakut

Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje të enjten edhe rundi i ri dhe i katërt në përgjithësi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit se pala serbe nuk ka ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, “por ata kanë paraqitur propozimin e tyre”.

“Ky takim mund të quhet si takim i kotë, pa rezultat, dhe ndoshta si sukses i politikës penguese të palës serbe”, tha Bislimi.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi “bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje”.

“Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, pra Lajçak, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve”, tha Petkoviq pa shpjeguar se çfarë përmban propozimi i tij.

“Në anën tjetër, kemi Prishtinën, e cila ka ardhur në Bruksel pa komentuar idetë e BE-së dhe kjo tregon qartë se pala tjetër nuk dëshiron të pajtohet për asgjë”, shtoi Petkoviq./REL/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi