Bernie Sanders: Kush mund të besojë se Izraeli dhe Arabia Saudite duan liri në Iran?

Senatori Bernie Sanders reagoi lidhur me sulmet ndaj Iranit që po vazhdojnë që nga e shtuna në mëngjes, duke kritikuar veçanërisht dy vende që konsiderohen aleatët kryesorë të SHBA-së në rajon.

Sanders theksoi natyrën e këtyre regjimeve dhe shprehu dyshime se udhëheqësit e tyre dëshirojnë vërtet “lirinë” për qytetarët iranianë.

“Izraeli dhe Arabia Saudite e kanë tërhequr SHBA-në në sulmet ndaj Iranit. Izraeli, nën udhëheqjen e Benjamin Netanyahut, ka vrarë më shumë se 70 mijë njerëz në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë. Arabia Saudite është një sistem brutal dhe shtypës që nuk lejon opozitë. Kush mund të besojë se ata duan t’u sjellin liri qytetarëve të Iranit?”, shkroi Sanders.

Sipas sondazheve të realizuara pas sulmit të së shtunës, vetëm 27 për qind e amerikanëve mbështesin një luftë kundër Iranit.

Megjithatë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi t’i bashkohet Izraelit në sulmet që po vazhdojnë prej disa ditësh.

Në Iran janë vrarë disa qindra persona, përfshirë një numër të konsiderueshëm civilësh, ndërsa gjatë operacioneve janë vrarë edhe tre ushtarë amerikanë.

Kategoritë
BotaLajme