Belgjika po diskuton me Shqipërinë dhe Kosovën për “transferimin” e të burgosurve të huaj

Ministret belge Annelies Verlinden dhe Anneleen Van Bossuyt kanë nisur një vizitë treditore në Shqipëri dhe në Kosovë, që do të përqendrohet në mundësinë e marrjes me qira ose ndërtimin e një burgu në njërin prej dy shteteve

Belgjika ka nisur një mision diplomatik në Shqipëri dhe Kosovë për të diskutuar mundësinë e transferimit të të burgosurve të huaj, veçanërisht atyre që janë emigrantë të paligjshëm, për të lehtësuar mbipopullimin në burgjet belge, transmeton Anadolu.

Mediat raportojnë se ky hap është pjesë e një strategjie më të gjerë për të përballuar ngarkesën në sistemin e drejtësisë penale dhe për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar në Belgjikë.

Me këtë rast, ministrja e Drejtësisë e Belgjikës, Annelies Verlinden dhe ministrja e Azilit dhe Migrimit, Anneleen Van Bossuyt, kanë nisur një vizitë treditore në Shqipëri dhe në Kosovë, që do të përqendrohet në mundësinë e marrjes me qira ose ndërtimin e një burgu në njërin prej dy shteteve.

Sipas ‘DeMorgen’, ministret të cilat sot janë nisur në Shqipëri, do të insistojnë që Tirana zyrtare të pranojë rikthimin e shtetasve të saj që mbahen në burgjet belge, ku përfshihen 307 shtetas shqiptarë, prej të cilëve 253 nuk kanë leje qëndrimi. Sipas Belgjikës, Kosova është vend transit për trafikim me qenie njerëzore dhe kontrabandë të armëve dhe shpesh shfaqet në rastet gjyqësore belge si vend për pastrim të parave.

Ndërkaq, Shqipëria thuhet se është partnere strategjike në luftën kundër trafikimit të drogës dhe ka një prani të fuqishme të organizatave kriminale shqiptare në portin e Antverpit.

Në Kosovë do të zhvillohen bisedime për nënshkrimin e një traktati për ndihmë juridike, i cili, sipas Belgjikës do të synojë të forcojë në mënyrë strukturore bashkëpunimin për çështjet penale.

Kosova arriti një marrëveshje për dhënien me qira të qelive për Danimarkën, e cila do të vendosë të burgosurit e saj të parë në Gjilan, gjatë vitit 2027.

Nga marrëveshja dhjetëvjeçare e cila parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez, Kosova do të përfitojë 200 milionë euro.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi