Në prag të takimit të së hënës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut në nivel të lartë, në Bruksel janë shprehur se presin që ata, pa diskutime të mëtejme, ta pranojnë propozimin evropian dhe të diskutojnë vetëm për implementimin e marrëveshjes.
Këtë e ka thënë një zyrtar i lartë evropian, duke folur me gazetarët në Bruksel, me kusht anonimiteti.
“Do të jetë takimi i gjashtë me radhë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Por, do të jetë takimi më i rëndësishëm deri më tash sepse takimet e fundit ishim më shumë për menaxhimin e krizave, sesa për normalizim të raporteve. Tash fokusi është te propozimi evropian”, ka thënë ky zyrtar.
Ai ka thënë se pret që diskutimet më të vështira të jenë ato për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndër tjerash ai ka shtuar se Kosova duhet që pa kushte ta zbatojë këtë obligim dhe se “me pranimin e këtij propozimi nënkuptohet edhe pranimi i zbatimit të obligimit për krijimin e Asociacionit”.
Edhe në BE e konsiderojnë këtë marrëveshje si një lloj njohjeje de-facto të Kosovës. “Dhe, kjo është vërtet një njohje de-facto”, ka thënë ky burim i BE-së.
“Duhet ta ndërpresim ciklin e krizave. I kishim gjashtë kriza radhazi në kohën e fundit. Në kohën e barrikadave në veri të Kosovës ishim shumë afër zjarrit. Tash është koha ta ndërpresim këtë dhe të kemi një dinamikë të re në raporte mes tyre”, ka thënë ky zyrtar.
Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por nga një version që ka parë REL-i, del se ai nuk parasheh njohjen reciproke mes dy vendeve, por zotimin e të dyja palëve se nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese. Propozimi, po ashtu, kërkon që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet që kanë arritur deri më tash në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. SHBA-ja e ka mbështetur këtë dokument.
I njëjti burim ka thënë se ky propozim nuk është për marrëveshjen gjithëpërfshirëse finale, por vetëm një etapë drejt saj.
“Po bisedojmë shumë hapur me palët rreth implementimit. Ata e dinë se ku janë ngecjet. Do të monitorojmë dhe raportojmë për implementimin. Raportimet te vendet anëtare janë në kuadër të kapitullit 35 për Serbinë dhe në Komitetin për normalizim me Kosovën. Kësaj radhe raportimi do të jetë më i rregullt dhe do të lidhet direkt me rrugët e tyre drejt BE-së. Dialogu nuk duhet të shihet si i ndarë nga proceset tjera të raporteve të Kosovës dhe Serbisë me BE-në”, ka thënë ai, duke shtuar se pret që edhe pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën të reagojnë pozitivisht:
Një prej arsyeve pse BE-ja dëshiron sa më shpejt normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është edhe zvogëlimi i hapësirës për Rusinë që të destabilizojë rajonin.
I pyetur për qëndrimin e Rusisë, ai ka thënë se shihen përpjekjet e Moskës për ta penguar këtë marrëveshje:
Të hënën, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, fillimisht do të ketë takime bilaterale me liderët ndaras, e pastaj takim të përbashkët. Në BE thonë se nuk presin që ky takim të jetë për krizat, por për marrëveshje.




















