BE planon rol udhëheqës në krijimin e forcave të reja policore për Gazën

Bashkimi Evropian po përgatitet të zgjerojë ndjeshëm misionet e tij policore dhe të mbikëqyrjes kufitare në Gazë, si pjesë e mbështetjes për planin amerikan të paqes, raportoi agjencia gjermane dpa.

Sipas burimeve të dpa-së, ministrat e jashtëm të BE-së pritet që të enjten në Bruksel të arrijnë marrëveshje mbi propozimet për rritjen e rolit të BE-së dhe, nëse është e nevojshme, ndryshimin e mandateve të misioneve ekzistuese.

3.000 oficerë të rinj palestinezë në fazën e parë

Sipas planit të ri, BE-ja mund të aktivizojë misionin e saj policor në Bregun Perëndimor, EUPOL COPPS, për të marrë udhëheqjen në krijimin e një force të re policore për Gazën e shkatërruar nga lufta.
Në afatin mesatar synohet trajnimi i rreth 3.000 pjesëtarëve të sigurisë palestineze, ndërsa objektivi afatgjatë është përgatitja e 13.000 efektivëve, sa konsiderohen të nevojshëm për funksionimin e plotë të forcës.

Në fazën fillestare, EUPOL COPPS do të ndihmojë në rindërtimin e strukturave të drejtësisë dhe sigurisë në Gazë dhe do të organizojë programe trajnimi për instruktorët palestinezë të policisë në Akademinë e Policisë në Jeriko, e cila bashkëfinancohet nga Gjermania.

Nga kontrolli i Hamasit te një strukturë e re ndërkombëtare

Deri më sot, policia civile e Gazës ka vepruar nën kontrollin e Hamasit, organizatë që zhvilloi një konflikt dyvjeçar me Izraelin duke lënë pjesën më të madhe të territorit në rrënoja.

Forcat e reja pritet të bashkëpunojnë ngushtë me misionin ndërkombëtar të stabilizimit, i cili u autorizua këtë javë nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

BE po shqyrton edhe zgjerimin e misionit kufitar

Ministrat e jashtëm të BE-së po diskutojnë gjithashtu zgjerimin e misionit për mbikëqyrjen e kufijve në Gazë. Sipas dpa-së, BE-ja në të ardhmen mund të ndihmojë në kontrollin e mallrave jo vetëm në pikën e Rafahut, por edhe në pika të tjera si Kerem Shalom.

Si hap të parë, misioni do të vazhdojë të mbështesë kalimin e njerëzve përmes Rafahut sapo pika kufitare të rihapet.

Franca është ndër mbështetësit më të fortë të zgjerimit të mandatit. Ministri i jashtëm francez Jean-Noël Barrot, në një takim të fundit në Luksemburg, theksoi se është jetike që ndihma humanitare të mund të arrijë në mënyrë të sigurt në Gazë.

Ai shtoi se roli i zgjeruar i EUPOL COPPS mund të mbështesë gjithashtu procesin e çarmatosjes së Hamasit në Rripin e Gazës.

Kategoritë
BotaLajme