BE-ja shpreh zhgënjim ndaj klasës politike në Kosovë

Një zëdhënës i BE-së për mediat lokale në Kosovë nënvizoi nevojën që sa më parë të forcohet dialogu ndërpartiak në mënyrë që të mos humben rastet që i jepen Kosovës.

Bashkimi Evropian (BE) ka shprehur keqardhje për dështimin e partive politike në Kosovë që të zgjedhin një figurë unifikuese për president të vendit dhe si pasojë e kësaj vendi tani do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Një zëdhënës i BE-së për mediat lokale në Kosovë nënvizoi nevojën që sa më parë të forcohet dialogu ndërpartiak në mënyrë që të mos humben rastet që i jepen Kosovës, përfshirë këtu përfitimet nga Plani i Rritjes i BE-së.

“BE-ja në mënyrë të vazhdueshme ka përsëritur thirrjen për të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të sigurojnë stabilitet institucional. Shprehim keqardhje për faktin se partitë politike nuk arritën të identifikojnë një figurë unifikuese për kandidat presidencial, që do të thotë se Kosova tash shkon në zgjedhje të treta të përgjithshme në më pak se 18 muaj”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.

I njëjti burim tha se BE-ja ka treguar gatishmëri për të vazhduar mbështetjen për Kosovën dhe për të punuar me Kosovën në secilën fushë përmes angazhimit të vazhdueshëm “përfshirë edhe implementimin e agjendës së reformave dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Për zhvillimet e fundit politike në Kosovë burime të ndryshme diplomatike në BE kishin shprehur zhgënjim dhe frikë se Kosova mund të humbë edhe më shumë mjete të BE-së por gjithashtu edhe të ngadalësojë procesin e reformave si pasojë e krizës politike dhe proceseve të njëpasnjëshme zgjedhore.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi