“Ne e marrim parasysh këtë opinion këshillimor dhe në përputhje me rrethanat, besojmë se Izraeli duhet ta zbatojë opinionin këshillimor të GJND-së në tërësinë e tij”, tha El Anouni
Bashkimi Evropian (BE) i bëri thirrje Izraelit të zbatojë opinioni këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), i cili vlerësoi pasojat ligjore të kufizimeve të Izraelit ndaj organizatave të Kombeve të Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar el Anouni tha se ndërsa opinionet këshillimore të GJND-së nuk janë ligjërisht të detyrueshme, ato kanë autoritet ligjor. “Ne e marrim parasysh këtë opinion këshillimor dhe në përputhje me rrethanat, besojmë se Izraeli duhet ta zbatojë opinionin këshillimor të GJND-së në tërësinë e tij”, tha ai.
Ai theksoi se ata i bënë thirrje Izraelit të respektojë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ligjit të të drejtave të njeriut ndaj popullit palestinez që jeton në territoret e pushtuara palestineze dhe veçanërisht në Rripin e Gazës.
– “Aneksimi është shkelje e ligjit ndërkombëtar”
Lidhur me votimin paraprak të parlamentit izraelit mbi dy projektligje që propozojnë aneksimin e Bregut Perëndimor nga Izraeli, zëdhënësi Al-Anouni i kujtoi publikut se BE-ja nuk e njeh sovranitetin e Izraelit mbi territoret që pushtoi pas vitit 1967, në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Aneksimi është shkelje e së drejtës ndërkombëtare. Hapat e ndërmarrë në këtë drejtim shkelin të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.
Sipas tij, sanksionet e BE-së kundër Izraelit ende janë në tryezë. “Këto sanksione nuk janë kundër popullit izraelit, ato kanë për qëllim të inkurajojnë qeverinë izraelite të ndryshojë kursin në Gaza dhe Bregun Perëndimor”, tha El Anouni.
Ai tha se situata në terren mbetet e brishtë dhe për këtë arsye sanksionet ende janë në axhendë. “Për të hequr dorë nga sanksionet, ndihma humanitare që arrin në Gaza duhet të përmirësohet, të ardhurat palestineze duhet të transferohen në anën palestineze, gazetarët dhe punonjësit humanitarë duhet të jenë në gjendje të hyjnë në Gaza dhe proceset e regjistrimit të organizatave ndërkombëtare të shoqërisë civile nuk duhet t’i nënshtrohen asnjë kufizimi”, shtoi El Anouni.
















