Tregu i parashikimeve Polymarket këto ditë është vënë në qendër të vëmendjes globale, pasi një përdorues anonim fitoi qindra mijëra dollarë duke u bastuar për arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro.
Përdoruesi hapi llogarinë vetëm tetë ditë para operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë dhe më pas investoi rreth 34.000 dollarë në një seri parashikimesh politike me rrezik të lartë. Deri të dielën pasdite, këto baste ishin shndërruar në mbi 409.000 dollarë fitim, sipas të dhënave të Polymarket.
Fitimi më i madh u realizua përmes bastit se Maduro do të ishte jashtë pushtetit deri më 31 janar. Një investim prej 32.537 dollarësh solli një kthim mbi 1.240 për qind në më pak se 24 orë, ose më shumë se 404.000 dollarë fitim.
Baste shtesë, më të vogla, të lidhura me mundësinë e ndërhyrjes ushtarake amerikane, dërgimin e trupave apo një invazion në Venezuelë, sollën kthime që varionin nga 214 deri në 985 për qind.
Vëmendje të veçantë tërhoqi koha e zhvillimeve. Pasi gjatë pjesës më të madhe të javës gjasat për rënien e Maduros ishin nën gjashtë për qind, tregu papritur “u gjallërua” në orët e hershme të mëngjesit.
Rreth orës 01:15 probabiliteti filloi të rritej, ndërsa deri në 01:50 arriti rreth 12,5 për qind, vetëm disa minuta para se të shfaqeshin raportimet e para për shpërthime në Karakas.
Në total, rreth 56,6 milionë dollarë janë investuar në kontrata të Polymarket të lidhura me largimin e Maduros nga pushteti, prej të cilave 11 milionë dollarë i përkisnin afatit deri më 31 janar. Kontratat me data më të hershme, 30 nëntori dhe 31 dhjetori, tërhoqën gjithashtu dhjetëra milionë dollarë të tjerë.
Kjo tregti e pazakontë shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale. Një postim në platformën X, ku vihej në dyshim nëse bëhej fjalë për informacione të brendshme, grumbulloi gati 7,3 milionë shikime, ndërsa përdoruesit u pyetën nëse tregjet e parashikimit janë shndërruar në një tregues të ri të vendimeve të fshehta politike.
Ndërkohë, është konfirmuar se forcat amerikane në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës kryen një operacion në Karakas, gjatë të cilit Maduro dhe bashkëshortja e tij u arrestuan dhe u transferuan në Shtetet e Bashkuara.
Udhëheqësi venezuelian ndodhet tani në paraburgim, ku e pret gjykimi nën akuzat për narkoterrorizëm dhe posedim të paligjshëm të armëve.

















