Policia civile e Rio de Janeiros ka konfirmuar se ka ndërruar jetë edhe një polic tjetër i plagosur në operacionin më vdekjeprurës antidrogë në Brazil, duke e rritur në pesë numrin e policëve të vrarë në aksion.
Ky është numri më i madh i policëve të vrarë ndonjëherë në një racie në atë vend, raporton Reuters.
Në operacionin e zhvilluar më 28 tetor në komplekset e favelave Penha dhe Alemao, në veri të Rio de Janeiros, gjithsej u vranë 122 persona.
Guvernatori Claudio Castro e përshëndeti operacionin si të suksesshëm, por grupet për të drejtat e njeriut e dënuan veprimin e forcave të sigurisë, duke theksuar numrin tronditës të të vrarëve dhe atë që e përshkruajnë si brutalitet të tepruar.
Operacioni policor ishte i drejtuar ndaj anëtarëve të Comando Vermelho, një organizatë kriminale shumëvjeçare që ka bazë në Rio dhe në rajone të tjera të Brazilit.












