Avioni u ul në Prishtinë për shkak të një pasagjereje të dehur: “Ia pështyu vodkën në fytyrë një burri”

Në fluturimin e kompanisë easyJet nga Londra për në Antalia të Turqisë, të mërkurën e kaluar shpërtheu një përleshje, për shkak të së cilës avioni u detyrua të bëjë një ulje emergjente në Prishtinë. Konflikti ndodhi pasi një pasagjere, e cila po pinte vodka nga shishja, i pështyu një pasagjeri tjetër në fytyrë, shkruan Daily Mail.

Një video e realizuar nga një prej pasagjerëve tregon një grua, që besohet të jetë britanike, duke u përpjekur të përleshet fizikisht me një pasagjer tjetër përtej korridorit. Në qetësimin e situatës ndërhyri një stjuard, e më pas edhe dy pasagjerë meshkuj, pas së cilës sigurimi i avionit nxori jashtë burrin dhe gruan.

Avioni i kompanisë low-cost, i cili ishte nisur nga aeroporti Gatwick, u devijua rreth 1000 kilometra nga rruga e planifikuar. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës në avion hyri policia dhe shoqëroi dy pasagjerët, një burrë me bluzë të gjelbër dhe një grua me rroba rozë.

“E ngrita kokën dhe nuk mund ta besoja çfarë po ndodhte”

Sipas dëshmive të dëshmitarëve, gruaja me rroba rozë kishte pirë vodka direkt nga shishja para se të sulmonte pasagjerin tjetër. Një dëshmitar pohon se gjatë konfliktit ajo i pështyu në fytyrë. Në një video tjetër shihet se si pasagjeri mashkull, i përfshirë në incident, përplaset verbalisht me një person që e kishte raportuar sjelljen e tyre te stafi i avionit.

“Isha ulur pas tyre dhe po merresha me punët e mia, kur papritur dëgjova britma dhe zhurmë. E ngrita kokën dhe nuk mund ta besoja çfarë po ndodhte, ishte krejtësisht e çmendur. Debatonin ashpër dhe shanin njëri-tjetrin. Të gjithë ishin disi të frikësuar, ndiheshim të pafuqishëm dhe na vinte keq për stafin.

Vendosa të filmoja, në rast se duheshin prova, por edhe për sigurinë time”, tha një nga dëshmitarët për The Sun. Fluturimi më pas vazhdoi drejt Antalisë, ku u ul me tre orë vonesë.

Shefi i Ryanair: Të kufizohet shitja e alkoolit në dy pije për pasagjer

Nga easyJet njoftuan se kanë tolerancë zero ndaj sjelljeve të papërshtatshme. “Siguria dhe mirëqenia e pasagjerëve dhe ekuipazhit tonë është prioriteti ynë më i lartë”, thuhet në deklaratë. Ky incident ndodh në një kohë kur disa kompani ajrore low-cost po shqyrtojnë vendosjen e ndalimit të fluturimit për pasagjerët që shkelin vazhdimisht rregullat, si dhe kufizimin e konsumimit të alkoolit.

Shefi i Ryanair, Michael O’Leary, u bëri thirrje aeroporteve që të kufizojnë shitjen e alkoolit në dy pije për pasagjer, në mënyrë që të zvogëlohet sjellja e papërshtatshme. Ryanair tashmë që në shkurt u ka ndaluar pasagjerëve të sjellin në avion pijet e tyre alkoolike dhe të nxehta.

Kategoritë
BotaLajmeVendi