Ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, është ndaluar nga forcat e rendit në Belgjikë, si pjesë e një hetimi të gjerë të Prokurorisë Evropiane (EPPO) lidhur me një skandal të dyshuar mashtrimi me fondet e BE-së. Lajmi është konfirmuar fillimisht nga gazeta belge Le Soir.
Sipas burimeve të hetimit, gjatë ditës së sotme janë kryer kontrollime në selinë e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) në Bruksel, si dhe në disa ndërtesa të Kolegjit të Europës në Bruges, ku Mogherini ushtron detyrën e rektorës. Tre persona janë ndaluar, përfshirë edhe vet ish-kryediplomaten evropiane.
Hetimi lidhet me dyshime për favorizime dhe konkurrencë të padrejtë në dhënien e një programi nëntëmujor trajnimi për diplomatët e rinj të BE-s, kontratë që dyshohet se është favorizuar drejt Kolegjit të Europës.
Ndër reagimet e para publike ka qenë ai i publicistit Milaim Zeka, i cili duke shpërndarë lajmin, ka bërë akuza të rënda politike, duke deklaruar se Mogherini është “pjesë e një grupi kriminal të EULEX-it që është marrë edhe me eliminimin e njerëzve në Kosovë”.












