Kompanitë po shpenzojnë dhjetëra, madje edhe qindra mijëra dollarë për të evakuuar punonjësit e tyre nga Dubai, ndërsa çmimet e fluturimeve private dhe të transportit kanë arritur shifra marramendëse, bëjnë të ditur kompanitë e sigurimeve që ofrojnë shërbime në situata krize.
Ndërsa konflikti ka hyrë në ditën e gjashtë dhe vetëm një numër shumë i vogël fluturimesh po rifillon pas disa ditësh bllokade të plotë, gjithnjë e më shumë banorë dhe punëtorë të huaj po përpiqen me dëshpërim të largohen nga Dubai, raportojnë agjentët turistikë dhe burime nga terreni.
Sipas një kompanie sigurimi, kostoja totale për evakuimin e një familjeje me katër anëtarë (dy të rritur dhe dy fëmijë) me avion privat ka arritur shifrën e pabesueshme prej 250.000 dollarësh. Çmimet e fluturimeve çarter janë pothuajse dyfishuar që nga fundjava.
Taksi deri në 5.000 dollarë
Çmimi i marrjes me qira të një taksie ose minibusi privat nga Dubai drejt Muskatit në Oman ose Rijadit në Arabinë Saudite, dy destinacionet më të kërkuara për ata që po largohen nga qyteti, është rritur në disa mijëra dollarë. Para fundjavës, i njëjti shërbim kushtonte vetëm disa qindra dollarë.
“Pamë çmime taksie prej 5.000 dollarësh e më shumë”, tha një drejtor i një kompanie sigurimi dhe shtoi:
“Problemi i madh është se Departamenti Amerikan i Shtetit rekomandon largimin nga vendi përmes linjave komerciale, por këto opsione aktualisht pothuajse nuk ekzistojnë.”
Edhe pse kompanitë në rajon po u rekomandojnë punonjësve të punojnë nga shtëpia, një numër gjithnjë e më i madh banorësh, turistësh dhe emigrantësh po kërkojnë mënyra për t’u larguar, pasi konflikti nuk po qetësohet.
Daria Guristrimba nga agjencia turistike Globe7, e cila punon me klientë të pasur, tha se gjendja shpirtërore ka ndryshuar papritur:
“Deri të martën njerëzit ishin relativisht të qetë dhe thoshin se nuk do të largoheshin. Tani të gjithë e kuptojnë se kjo do të zgjasë dhe po ikin masivisht drejt Omanit.”
Shkalla e këtij eksodi dëshmohet edhe nga fakti se familjet po largohen përgjithmonë nga rajoni.
“Në 24 orët e fundit kemi parë një rritje të madhe të kërkesave për fluturime me kafshë shtëpiake”, tha Charles Robinson, themelues i EnterJet.
“Familjet po marrin vendimin për t’u zhvendosur plotësisht. Nuk mund t’i lënë kafshët në shtëpi, ndërsa fluturimet komerciale për to aktualisht nuk janë një opsion.”
Edhe për ata që arrijnë të sigurojnë një fluturim, operacionet janë kaotike. Në një rast, piloti i një avioni privat, për të cilin ishte paguar 200.000 dollarë, u detyrua “të vraponte në pistë për të ndaluar manualisht një kamion me karburant në mënyrë që të mbushte rezervuarin”, tregoi një nga pjesëmarrësit.
Linjat ajrore në vështirësi, Oman bëhet shpëtimi
Megjithëse Emirates, Flydubai dhe Etihad kanë rifilluar pjesërisht shërbimet për kthimin e pasagjerëve, fluturimet e rregullta vazhdojnë të jenë të pezulluara. Qatar Airways është ndalur për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore të Katarit, duke lënë dhjetëra mijëra pasagjerë të bllokuar në aeroporte.
Agjencia Evropiane për Sigurinë e Aviacionit (EASA) u ka rekomanduar kompanive ajrore të shmangin rajonin. Disa fluturime drejt Dubait tashmë janë devijuar për shkak të sulmeve me raketa, konfirmoi drejtori operativ i kompanisë finlandeze Finnair.
Qeveritë e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë po organizojnë në mënyrë intensive fluturime riatdhesimi. Kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi fluturime shtesë nga Oman, duke theksuar se mbi 1.000 shtetas britanikë tashmë janë kthyer në vend.
Ndërkohë, Muskat, kryeqyteti i Omanit, është bërë strehimi kryesor për të huajt. Sipas burimeve nga terreni, kufiri tokësor i Omanit është i hapur dhe autoritetet kufitare aktualisht po heqin kërkesat për vizë për të përshpejtuar kalimin e mijëra njerëzve që kërkojnë me dëshpërim një rrugë të sigurt për në shtëpi.



















