Arben Vitia reagon pas shpërthimit të veturës së drejtorit të QKUK’së: Kushdo që provon të sfidojë shtetin, do të dështojë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka reaguar ashpër pas sulmit ndaj veturës së ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdarit.

Përmes një postimi në Facebook, Vitia tha se kushdo që tenton të vendosë në sprovë institucionet e shtetit, do të përballet me dështim.

“Sulmi ndaj U.d. Drejtorit të QKUK-së do të marrë përgjigjen që meriton. Nuk ka kthim pas sepse asnjë prej nesh nuk do ta lejojë këtë në asnjë rrethanë,” theksoi ai.

Kujtojmë se sot i është shpërthyer vetura private e U.D. të drejtorit të QKUK’së, Osman Hajdari, gjersa ishte e parkuar në oborrin e spitalit.

Lidhur me këtë, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala i tha Gazetës Express se prokurori i Shtetit ka iniciuar rast për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”  dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

“Prokurori i shtetit ka inicuar rastin për veprën penale ”Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe ”Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Prokurori i shtetit dhe Njësitë përkatëse janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore mbi këtë çështje.”

Kategoritë
LajmeVendi