Policia e shtetit amerikan të Miçiganit njoftoi sot se është duke ndodhur një incident aktiv me të shtëna pranë sinagogës Temple Israel në West Bloomfield, Miçigan, dhe se policia është dërguar urgjentisht në vendin e ngjarjes.
Agjencia AP ka mësuar se një person i armatosur me pushkë u fut me automjet në sinagogën më të madhe reformiste në SHBA, në periferi të Detroitit, dhe se është vrarë nga sigurimi. Këtë për AP e ka konfirmuar një person i njohur me rastin, i cili nuk ka dashur të bëhet publik.
Automjeti është përfshirë nga zjarri pasi është futur në sinagogën Temple Israel në West Bloomfield, tha i njëjti burim. Hetuesit ende po punojnë për identifikimin e sulmuesit dhe për të përcaktuar motivin e mundshëm të sulmit. Sipas burimit, hetimi është ende në fazë të hershme. Sigurimi i sinagogës pranë Detroitit ka shkëmbyer zjarr me të paktën një person, ka njoftuar sherifi.
Televizioni lokal raporton se një kamion është futur në sinagogën Temple Israel në West Bloomfield.
Në pamjet televizive mund të shihet tym që del nga çatia e sinagogës. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë dhjetëra automjete policie që kanë rrethuar ndërtesën.
Sherifi i qarkut Oakland, Mike Bouchard, konfirmoi në një konferencë për shtyp më herët se sigurimi në sinagogë ka shkëmbyer zjarr me të paktën një person dhe se deri tani askush nuk është arrestuar.
“Për momentin nuk kemi informacione për të lënduar, përveç ndoshta sulmuesit,” tha sherifi Bouchard për CNN.
Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI) në SHBA, Kash Patel, tha se agjentët ndodhen në vendin e incidentit dhe se duket se bëhet fjalë për një sulm me automjet dhe një sulmues aktiv të armatosur pranë sinagogës.
Nga zyra e sherifit të qarkut është bërë e ditur se autoritetet po evakuojnë ndërtesën. Rreth dhjetë prindër kanë nxituar të marrin fëmijët nga qendra e mësimit që ndodhet në atë ndërtesë, pasi policia ua ka lejuar këtë. Shkollat në West Bloomfield janë futur në gjendje bllokimi (lockdown).
Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer, deklaroi se po ndjek zhvillimet dhe se komuniteti hebre duhet të jetë në gjendje të jetojë dhe të praktikojë fenë e tij në paqe.
Organizatat hebraike në të gjithë SHBA-në janë në gjendje sigurie të shtuar që nga 28 shkurti, kur SHBA dhe Izraeli nisën një operacion ushtarak kundër Iranit, i cili shkaktoi dhe intensifikoi luftën në Lindjen e Mesme.



















