Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, është shprehur në lidhje me “skandalin e shtrëngimit të duarve”, ku lideri de facto i Sirisë, Ahmed Hussein al-Shara, nuk i shtrëngoi dorën gjatë vizitës së saj në këtë vend.
Baerbock, së bashku me ministrin francez të Jashtëm, Jean-Noël Barrot, mbërritën në Siri, një vizitë e cila përfaqëson të parën nga Bashkimi Evropian në këtë vend që nga rënia e regjimit të ish-presidentit Bashar al-Assad.
Gjatë mbërritjes në Damask ndodhi “skandali i shtrëngimit të duarve”, kur al-Shara i shtrëngoi dorën Barrot, por e injoroi Baerbock. Ajo deklaroi se kjo ishte e pritshme.
“Gjatë udhëtimit këtu, më ishte e qartë që nuk do të kishte një shtrëngim të zakonshëm duarsh. Po ashtu, ishte e qartë që jo vetëm unë, por as ministri francez i Jashtëm, nuk ndanim këtë pritshmëri. Në këtë kontekst, ministri francez nuk e shtriu dorën,” tha Baerbock.
Një video e momentit, e publikuar në rrjetet sociale, tregon Barrot-in që duket sikur po fillon të shtrijë dorën, por pastaj ndalon para se të shtrëngojë duart.
Në një deklaratë në X (ish-Twitter), Barrot tha se kishin marrë “garanci nga autoritetet e reja siriane se do të ketë një pjesëmarrje të gjerë, veçanërisht të grave, në tranzicionin politik.”
Incidenti i shtrëngimit të duarve sjell në kujtesë polemikën e njohur si “Sofagate”, kur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, iu mohua një vend si lidere gjatë vizitës në Turqi në vitin 2021.
Von der Leyen më vonë deklaroi se ishte ndier “e lënduar” dhe “e vetmuar” gjatë incidentit, për të cilin tha se ishte një shfaqje “seksizmi.”