Anija u evakuua, pyetja kryesore mbetet: A mund të bëhet hantavirusi pandemia e re?

Shpërthimi i hantavirusit në anijen “MV Hondius”, ku humbën jetën tre persona, ka ngritur shqetësime globale dhe pyetje nëse virusi mund të shndërrohet në një pandemi të re. Pas zbulimit të rasteve, pasagjerët u evakuuan dhe u kthyen në vendet e tyre, ndërsa World Health Organization bëri thirrje për qetësi.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se bëhet fjalë për një shpërthim lokal dhe jo për fillimin e një pandemie si COVID-19. Edhe epidemiologia Maria Van Kerkhove theksoi se hantavirusi ka mënyrë shumë më të kufizuar përhapjeje dhe transmetimi nga njeriu te njeriu është jashtëzakonisht i rrallë.

Ekspertët shpjegojnë se hantavirusi zakonisht transmetohet nga brejtësit, përmes kontaktit me urinën, jashtëqitjet ose pështymën e tyre, apo nga thithja e grimcave të kontaminuara në ajër. Virusi mund të shkaktojë dëmtime serioze në mushkëri, veshka dhe sistemin e enëve të gjakut.

Infektologu turk Hakan Leblebicioglu deklaroi se nuk pritet një krizë globale si ajo e koronavirusit, pasi përhapja mes njerëzve është shumë e kufizuar.

Sipas ekspertëve, rastet me hantavirus shfaqen kryesisht në zona rurale, pyje, hambarë dhe ambiente ku ka prani të brejtësve. Forma e vetme e njohur e transmetimit nga njeriu te njeriu lidhet me virusin Andes në Amerikën e Jugut, i cili konsiderohet shumë i rrallë por me shkallë të lartë vdekshmërie.

Kategoritë
BotaLajme