Amnesty International: Njësitë ushtarake izraelite që godasin Gazën janë pajisur me predha artilerie me fosfor të bardhë

“Teksa vazhdohet të shqyrtohen nga afër rastet jashtëzakonisht shqetësuese, ‘Amnesty International’ i bën thirrje Izraelit që të respektojë gjithmonë ligjin ndërkombëtar humanitar”, tha organizata

Organizata ‘Amnesty International’ ka konfirmuar se njësitë ushtarake izraelite që godasin Gazën janë pajisur me predha artilerie me fosfor të bardhë, transmeton Anadolu.

Organizata me qendër në Londër nga llogaria X theksoi se Laboratori Provave të Krizës së ‘Amnesty International’ ka konfirmuar se njësitë ushtarake izraelite që godasin Gazën janë pajisur me predha artilerie me fosfor të bardhë.

Më tej, theksohet se organizata po heton ngjarjet në të cilat me sa duket është përdorur fosfor i bardhë në Gaza, duke përfshirë sulmin në afërsi të një hoteli në bregdetin e Gazës.

“Fosfori i bardhë është një substancë ndezëse që përdoret kryesisht për të krijuar perde të dendura tymi ose për të shënuar objektivat. Kur ekspozohet ndaj ajrit digjet në temperatura jashtëzakonisht të larta dhe mund të vazhdojë të digjet edhe brenda trupit të njeriut. Shkakton dhimbje të tmerrshme dhe lëndime që ndryshojnë jetën dhe nuk mund të shuhet me ujë. Për këtë arsye fosfori i bardhë nuk duhet të përdoret kurrë në hapësira civile”, tha ‘Amnesty International’.

“I bëjmë thirrje Izraelit të respektojë ligjin ndërkombëtar humanitar”

‘Amnesty International’ theksoi se Gaza është një prej zonave me popullsinë më të dendur në botë.

“Teksa vazhdohet të shqyrtohen nga afër rastet jashtëzakonisht shqetësuese, ‘Amnesty International’ i bën thirrje Izraelit që të respektojë gjithmonë ligjin ndërkombëtar humanitar”, tha organizata.

Edhe organizata ‘Human Rights Watch’ (HRW) ka deklaruar se Izraeli ka përdorur fosfor të bardhë në operacionet e tij ushtarake në Gaza dhe Liban.

Konflikti Izraeli-Palestinë

Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, mëngjesin e 7 tetorit njoftoi nisjen e sulmit gjithëpërfshirës të emëruar “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit.

Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa, ndërsa grupet e armatosura palestineze kryen bastisje dhe morën kontrollin e pikës kufitare Beit Hanoun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.

Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet izraelite, ndërsa ushtria izraelite filloi sulme ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.

Në sulmet e kryera nga Gaza kanë humbur jetën 1.300 izraelitë ndërsa janë plagosur 3.300 të tjerë.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë 1.537 palestinezë, përfshirë 500 fëmijë dhe 276 gra, ndërsa janë plagosur 6.612 të tjerë.

Gjithashtu në sulmet e ushtarëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar janë vrarë 36 palestinezë dhe janë plagosur rreth 650 të tjerë.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova