Komanda Jugore e ushtrisë amerikane (SOUTHCOM) ka publikuar fotografi të reja nga aeroplanmbajtësi “Gerald R. Ford”, i cili është dislokuar në Karaibe – lëvizje që shihet si një mesazh i ri për Venezuelën dhe presidentin e saj, Nicolás Maduro.
Sipas informacioneve të SOUTHCOM-it, mbi aeroplanmbajtës ka fluturuar edhe bombarduesi amerikan B-52, i cili ndodhet në këtë rajon për të mbështetur misionin e Komandës Jugore.
“Nën udhëheqjen e Departamentit të Mbrojtjes, prioriteti i presidentit është parandalimi i tregtisë së paligjshme të drogës dhe mbrojtja e atdheut,” thuhet në njoftim.
Përveç aeroplanmbajtësit USS Gerald R. Ford, forcat detare amerikane në rajon përfshijnë anijet luftarake USS Lake Erie dhe USS Gettysburg, shkatërruesit USS Gravely, Mahan, Bainbridge, Winston S. Churchill dhe Stockdale, si dhe tre anije amfibe me njësi të Brigadës Ekspeditare të 22-të të marinës amerikane të imbarkuara në to.
Mendohet se në këtë zonë ndodhet edhe të paktën një nëndetëse sulmuese amerikane.
Së bashku, kjo grupim operativ mbart një sasi të konsiderueshme raketash lundrimi Tomahawk, të cilat përdoren shpesh për sulme të kufizuara. “Ford” ka gjithashtu katër skuadrone avionësh luftarakë F/A-18 Super Hornet – armë standarde të fushatave të zgjatura ajrore të marinës amerikane – si dhe një skuadron avionësh elektronikë E/A-18 Growler, të destinuar për neutralizimin e mbrojtjes ajrore të armikut.












