Sipas raporteve më të fundit të shërbimeve amerikane të inteligjencës, sulmet direkte të Iranit ndaj tankerëve të naftës përbëjnë një rrezik shumë më të madh sesa minat detare në Ngushticën e Hormuzit, një kalim kyç për pothuajse një të pestën e tregtisë globale të naftës.
Që nga fillimi i operacionit amerikan-izraelit kundër Iranit, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e ka mbyllur në mënyrë efektive këtë ngushticë strategjike. Si pasojë, shumë tankerë kanë mbetur të bllokuar, gjë që tashmë ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës në tregun global.
Administrata e Donald Trump së fundmi kreu sulme ndaj 16 anijeve iraniane për vendosjen e minave pranë ngushticës. Një video e publikuar nga Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM) tregon goditjet ndaj nëntë anijeve, shumica prej të cilave ishin të ankoruara.
Megjithatë, edhe pse minat janë një rrezik i njohur dhe relativisht i parashikueshëm, zyrtarët amerikanë vlerësojnë se sulmet masive direkte, si tufat e dronëve vetëvrasës ose raketat balistike të lëshuara nga bregu, përbëjnë një kërcënim shumë më të madh. Vetëm një raketë ose dron që depërton mbrojtjen mund të fundosë një tanker, duke i dhënë Iranit një avantazh të madh strategjik.
Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se edhe me shoqërimin e shkatërruesve të marinës amerikane nuk është e mundur të kapet çdo raketë që afrohet. Asnjë sigurim apo kompensim për kompanitë detare nuk mund të eliminojë plotësisht rrezikun për jetën e ekuipazheve që lundrojnë në këto ujëra.
Kritika dhe sulme të reja
Situata ka shkaktuar reagime të forta edhe në skenën politike amerikane. Kongresmenët kryesorë u informuan për krizën në një brifing konfidencial, ku demokratët kritikuan ashpër mënyrën se si administrata po menaxhon sigurinë në ngushticë. Senatori Chris Murphy deklaroi në rrjetet sociale se autoritetet “nuk e dinë se si ta rihapin në mënyrë të sigurt kalimin”.
Edhe pse SHBA ka shkatërruar një pjesë të arsenalit iranian, shqetësimet për sigurinë e lundrimit global mbeten. Vetëm të mërkurën u sulmuan të paktën tre anije në ngushticë ose pranë saj, përfshirë një anije japoneze me kontejnerë dhe dy anije për transport mallrash me shumicë. Njëra prej tyre, “Mayuree Naree”, u godit gjatë kalimit nëpër ngushticë dhe Irani mori përgjegjësinë për sulmin.
Ngushtica e Hormuzit lidh Gjirin Persik me Detin Arab verior dhe shtrihet përgjatë bregdetit iranian. Duke qenë se Irani e kontrollon ushtarakisht këtë zonë, ndërprerja e trafikut të tankerëve ka shkaktuar rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës, gjë që është reflektuar edhe në rritjen e çmimeve të karburanteve në SHBA dhe në mbarë botën.
Chris Wright, në një deklaratë për CNN, u përpoq të qetësonte opinionin publik duke thënë se është shkatërruar një sasi e madhe e armëve iraniane të afta për të sulmuar anijet. Sipas tij, trafiku normal detar mund të rifillojë brenda disa javësh, megjithëse operatorët detarë mbeten ende shumë të kujdesshëm.



















