Amerika shpenzoi më shumë se 11 miliardë dollarë për gjashtë ditë në konfliktin me Iranin

Zyrtarët e administratës së presidentit Donald Trump vlerësuan gjatë një informimi në Kongres këtë javë se gjashtë ditët e para të luftës kundër Iranit i kanë kushtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës të paktën 11.3 miliardë dollarë, shkruan Reuters.

Kjo shifër, e paraqitur në një informim të mbyllur për senatorët të martën, nuk përfshin koston totale të luftës, por u është dhënë ligjvënësve që kërkuan më shumë informacione rreth konfliktit.

Disa ndihmës të Kongresit thanë se presin që Shtëpia e Bardhë së shpejti t’i paraqesë Kongresit një kërkesë për financim shtesë të luftës. Disa zyrtarë kanë thënë se kërkesa mund të arrijë rreth 50 miliardë dollarë, ndërsa të tjerë mendojnë se kjo shifër duket shumë e ulët.

Administrata nuk ka dhënë një vlerësim publik për koston totale të konfliktit dhe as një ide të qartë se sa mund të zgjasë lufta. Trump, gjatë një vizite në Kentucky të mërkurën, deklaroi se “Amerika ka fituar”, por se do të vazhdojë luftimet për ta përfunduar misionin.

Fushata ushtarake kundër Iranit filloi më 28 shkurt me sulme ajrore amerikane dhe izraelite dhe deri tani ka shkaktuar rreth 2.000 viktima, kryesisht iranianë dhe libanezë, ndërsa konflikti është përhapur në Liban dhe ka shkaktuar kaos në tregjet globale të energjisë dhe në transport.

Zyrtarët e administratës gjithashtu u thanë ligjvënësve se gjatë dy ditëve të para të sulmeve janë shpenzuar 5.6 miliardë dollarë vetëm për municion.

Anëtarët e Kongresit, të cilët së shpejti mund të duhet të miratojnë financim shtesë për luftën, kanë shprehur shqetësim se konflikti mund të shterojë rezervat ushtarake amerikane në një moment kur industria e mbrojtjes tashmë po përballet me vështirësi për të përmbushur kërkesën.

Trump javën e kaluar u takua me drejtuesit e shtatë kompanive të industrisë së mbrojtjes, ndërkohë që Pentagoni po punon për të rindërtuar rezervat.

Ligjvënësit demokratë kanë kërkuar gjithashtu një dëshmi publike nën betim nga zyrtarët e administratës lidhur me planet e presidentit republikan për luftën, përfshirë sa mund të zgjasë ajo dhe cilat janë planet e tij për Iranin pas përfundimit të luftimeve.

Kategoritë
BotaLajme