Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka përfunduar shitjen e parë të naftës venezueliane, me vlerë 500 milionë dollarë, konfirmoi të mërkurën një zyrtar i administratës.
Zyrtari shtoi gjithashtu se priten shitje të tjera në ditët dhe javët në vijim.
Marrëveshjen e bëri publike fillimisht Semafor, duke përfshirë edhe informacionin se të ardhurat nga shitja mbahen në llogari bankare, përfshirë një llogari në Katar, të cilat janë nën kontrollin e qeverisë amerikane.
“Presidenti Trump ka ndërmjetësuar një marrëveshje historike energjetike me Venezuelën, menjëherë pas arrestimit të narko-terroristit Nicolas Maduro, marrëveshje që do t’i shërbejë popullit amerikan dhe atij venezuelian,” deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Taylor Rogers.
Ajo theksoi se po vazhdojnë edhe bisedimet me kompanitë amerikane të naftës.
“Ekipi i Trumpit po lehtëson bisedime pozitive dhe të vazhdueshme me kompanitë e naftës që janë të gatshme dhe të vullnetshme të bëjnë investime pa precedent në rindërtimin e infrastrukturës venezueliane të naftës. Presidenti Trump e mbron hemisferën tonë perëndimore nga shfrytëzimi i narko-terroristëve, trafikantëve të drogës dhe kundërshtarëve të huaj,” vazhdoi ajo.
Kjo marrëveshje për naftën është shitja e parë që nga momenti kur SHBA e rrëzoi Maduron, ish-presidentin e Venezuelës, më herët gjatë këtij muaji.
Trump sinjalizoi shpejt se kompanitë amerikane të naftës do të përfshihen në nxjerrjen e rezervave të pasura venezueliane të naftës pas arrestimit të Maduro-s. Javën e kaluar ai priti në Shtëpinë e Bardhë drejtues të shumë kompanive amerikane të naftës.











