Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar një shitje të mundshme armësh në vlerë prej 15.5 miliardë dollarësh për Izraelin dhe Arabinë Saudite.
Departamenti amerikan i Shtetit ka aprovuar shitjen e mundshme të pajisjeve ushtarake për Izraelin në vlerë mbi 6.5 miliardë dollarë përmes tre kontratave të ndara, njoftoi Pentagoni.
Sipas Pentagonit, Departamenti i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të automjeteve të lehta taktike Joint Light Tactical Vehicle dhe pajisjeve shoqëruese në vlerë të vlerësuar prej 1.98 miliardë dollarësh, si dhe një marrëveshje të veçantë për shitjen e helikopterëve AH-64E Apache në vlerë prej 3.8 miliardë dollarësh.
Kontrata e tretë ushtarake, në vlerë prej 740 milionë dollarësh, është miratuar për furnizimin me sisteme shtytëse për transportuesit e blinduar Namer, pa transmisione dhe me mbështetje logjistike të integruar.
Kontraktori kryesor për shitjen e parë është kompania AM General, ndërsa Boeing dhe Lockheed Martin janë kontraktorët për shitjen e helikopterëve Apache.
Departamenti amerikan i Shtetit ka miratuar gjithashtu shitjen e mundshme të raketave mbrojtëse Patriot dhe pajisjeve përkatëse Arabisë Saudite, në vlerë të vlerësuar prej nëntë miliardë dollarësh.
Kontraktori kryesor për shitjen e raketave do të jetë kompania Lockheed Martin, thuhet në njoftimin e Pentagonit.
Miratimi i Departamentit të Shtetit pasoi kërkesën e Arabisë Saudite për blerjen e 730 raketave PAC-3 MSE, shton Pentagoni.
Në deklaratë thuhet se kjo shitje e propozuar nuk do ta ndryshojë balancën ushtarake në Lindjen e Mesme dhe nuk do të ketë ndikim negativ në gatishmërinë mbrojtëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


















