Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, i është përgjigjur ministrit amerikan të mbrojtjes Pete Hegseth, pasi ky i fundit pretendoi se udhëheqësit iranianë po fshihen. Larijani publikoi pamje nga tubimet e sotme në Teheran dhe dërgoi një mesazh provokues.
“Zoti Hegseth! Udhëheqësit tanë kanë qenë dhe janë ende mes popullit. Por udhëheqësit tuaj? Në ishullin e Epstein!”, shkroi Larijani.
Larijani aludoi në ishullin e pedofilit të dënuar Jeffrey Epstein, i cili vdiq në rrethana të dyshimta në një burg amerikan. Një pjesë e madhe e elitës politike dhe shoqërore amerikane kishte marrëdhënie miqësore me Epsteinin.
Nga ana tjetër, Hegseth deklaroi se udhëheqja iraniane nuk është në gjendje të mirë dhe se po fshihet nga frika.
“Sot-e ashtuquajtura udhëheqje e Iranit është e dëshpëruar dhe e fshehur nën tokë, e frikësuar. Kështu veprojnë minjtë. Ne e dimë se i ashtuquajturi udhëheqës i ri suprem është i plagosur dhe ndoshta i gjymtuar. Dje ai publikoi një deklaratë të dobët, pa zë dhe pa video, vetëm një tekst të shkruar”, tha Hegseth.
Ndërkohë, në Iran sot u shënua Dita e Kudsit, e cila përkujtohet si shenjë mbështetjeje për popullin palestinez. Shumë liderë politikë iranianë marshuan në rrugët e Teheranit dhe iu bashkuan tubimeve, përfshirë presidentin Masoud Pezeshkian dhe vetë Larijanin.










