



Lajmin për vdekjen e ajatollahut e kanë publikuar disa media izraelite, si dhe agjencia e lajmeve Reuters, e cila citon një zyrtar izraelit të ketë thënë se trupi i Khameneit është gjetur.
Reuters thekson se ende nuk ka konfirmim zyrtar nga pala iraniane për vdekjen e ajatollahut. Agjencia ka publikuar edhe deklaratën e shefit të Zyrës për Marrëdhënie me Publikun të Udhëheqësit Suprem të Iranit, i cili tha: “Armiku po përdor luftë psikologjike dhe të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë”, duke aluduar se lajmi izraelit për vdekjen e Khameneit është propagandë.
Pak pasi Izraeli dhe SHBA-ja kryen sulmet ndaj Iranit, u bë e ditur se ishte goditur kompleksi ku ndodhej Ali Khamenei. Ministri i Jashtëm iranian pretendoi se ajatollahu është gjallë, ndërsa burime izraelite vazhduan të përhapnin informacione për vdekjen e tij të mundshme.
Janë publikuar pamje dhe fotografi që tregojnë objekte të shkatërruara brenda kompleksit të ajatollahut, por askush nuk ka konfirmuar zyrtarisht nëse ai ndodhej aty në momentin e sulmit.
Ajatollah Ali Khamenei (86) drejton Iranin që nga viti 1989. Si udhëheqës suprem, ai ka autoritetin përfundimtar mbi të gjitha degët e pushtetit, ushtrinë dhe sistemin gjyqësor në Iran.
Gjatë pothuajse katër dekadave, Khamenei ka ndërtuar një fuqi rajonale që mund të rivalizojë shtetet sunite përtej Gjirit, ndërkohë që ka promovuar teknologjinë bërthamore që ka shqetësuar Izraelin dhe SHBA-në.