Alarm për bombë paralizon qendrën e Grazit

Sheshi kryesor në qytetin Graz të Austrisë u bllokua plotësisht për rreth dy orë pas një njoftimi për bombë, njoftoi policia lokale.

Drejtoria e Policisë së Steiermarkut për portalin austriak 5 Minuten deklaroi:

“Ekziston një kërcënim për bombë. Aktualisht nuk mund të themi se sa gjatë do të mbetet zona e mbyllur.”

Në vendngjarje ndodheshin forca të shumta policore, përfshirë qen gjurmues, si dhe një numër i madh ekipesh të urgjencës mjekësore.

Për shkak të bllokimit, u pezulluan disa linja të tramvajit dhe të transportit publik që kalojnë nëpër qendër të qytetit.

Kompania e transportit publik Holding Graz organizoi një linjë alternative autobusi për të siguruar lëvizjen gjatë periudhës së ndërprerjes.

Pas dy orësh, zona u rihap dhe u konfirmua se njoftimi për vendosjen e bombës ishte i rremë.

Hetimet për rastin po vazhdojnë.

Kategoritë
BotaLajme