Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, të enjten në Ankara priti homologun e tij gjerman Johann Wadephul. Edhe pse fokusi i takimit ishte forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, Fidan shfrytëzoi rastin për të dërguar mesazhe të forta për situatën aktuale në Lindjen e Mesme, me theks të veçantë te Irani.
Fidan dhe Wadephul zhvilluan një takim me qëllim thellimin e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy aleatëve të NATO-s në sektorin politik, ekonomik dhe të sigurisë. Megjithatë, deklaratat e shefit të diplomacisë turke për krizën iraniane tërhoqën vëmendjen më të madhe.
Duke folur për Iranin, Fidan paralajmëroi për plane të rrezikshme që, sipas tij, po përgatiten rreth këtij vendi.
“Shohim se, ndërsa disa aktorë lëvizin në të njëjtin drejtim dhe mendojnë në mënyrë të ngjashme, ka edhe përpjekje që skenarët separatistë për Iranin të rikthehen në agjendë. Këto përpjekje synojnë të nxisin një luftë civile dhe të provokojnë konflikte përgjatë vijave etnike ose fetare”, deklaroi Fidan.
Ai theksoi se Turqia kundërshton ashpër çdo plan që synon thellimin e përçarjeve, duke dërguar një mesazh të qartë ndaj atyre që synojnë destabilizimin.
“Që tani po i paralajmërojmë ata që duan ta tërheqin rajonin në aventura të tilla të pamenduara: askush nuk duhet të ushqejë iluzione të tilla. Është e pamundur që ne të lejojmë të bëhet një hap i gabuar”, tha ministri turk.
Fidan theksoi se lufta duhet të përfundojë sa më shpejt dhe se integriteti territorial i Iranit nuk duhet të vihet në pikëpyetje. Sipas tij, fokusi i komunitetit ndërkombëtar nuk duhet të jetë ndryshimi i dhunshëm i regjimit, por rikthimi i stabilitetit në rajon.
Në fjalimin e tij, kreu i diplomacisë turke dënoi përshkallëzimin e dhunës nga të dyja palët.
“Do ta them këtë shumë qartë: sulmi ndaj Iranit, i kryer pa provokim, është i padrejtë dhe i paligjshëm. Në të njëjtën kohë, sulmet iraniane ndaj vendeve të tjera në rajon, veçanërisht ndaj shteteve të Gjirit, të kryera gjithashtu pa provokim, janë po aq të gabuara”, theksoi Fidan.
Në fund ai përfundoi se situata e përgjithshme në rajon është “thelbësisht e gabuar” dhe se gjakderdhja duhet të ndalet menjëherë.
“Me fjalë të tjera, duhet urgjentisht të shtypet ‘butoni i paqes’ në mënyrë që luftimet të përfundojnë”, përfundoi Fidan.



















