Qeveria e Lituanisë shpalli të martën në mëngjes gjendje të jashtëzakonshme në nivel vendi, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë publike pas depërtimeve të përsëritura të balonave të kontrabandës nga Bjellorusia në hapësirën ajrore lituaneze, raporton Reuters.
“Gjendja e jashtëzakonshme shpallet jo vetëm për shkak të ndërprerjeve të trafikut ajror civil, por edhe për interesat e sigurisë kombëtare,” tha ministri i brendshëm Vladislav Kondratoviç në mbledhjen e qeverisë që u transmetua drejtpërdrejt.
Sipas ministrit, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme i jep ushtrisë lituaneze liri më të madhe operacionale, duke u mundësuar të veprojë në koordinim me policinë, ose edhe në mënyrë të pavarur. Nuk dihet ende sa kohë do të mbetet në fuqi kjo masë.
Qeveria lituaneze pretendon se balonat po dërgohen përtej kufirit nga kontrabandistë bjellorusë të cigareve. Ajo e cilëson këtë si një sulm hibrid dhe akuzon presidentin bjellorus Aleksandër Lukashenko se nuk po ndërmerr masa kundër kontrabandistëve.
Incidentet kanë qenë të vazhdueshme. Aeroporti i Vilniusit, që ndodhet rreth 30 kilometra nga kufiri bjellorus, është dashur të mbyllet përkohësisht më shumë se dhjetë herë për shkak të fluturimit të balonave. Së fundmi kjo ndodhi të shtunën.
Propozimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme u paraqit të premten nga Ministria e Brendshme lituaneze. Opozita në parlament kërkon një hap edhe më të ashpër — shpalljen e gjendjes së krizës kombëtare — të cilën parlamenti mund ta miratojë në rast të rrezikimit të rendit kushtetues të vendit.
Bjellorusia, e cila në vitin 2022 lejoi Rusinë të përdorte territorin e saj për pushtimin e Ukrainës, mohon përgjegjësinë për lëshimin e balonave dhe akuzon Lituaninë për provokime. Megjithatë, Lukashenko ka deklaruar më herët se Bjellorusia do të kërkojë falje nëse vërtetohet se është e përfshirë në incidentet në Lituani.









