Njëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë janë plagosur si pasojë e përplasjes mes një autobusi turistik dhe një kamioni në provincën Manisa të Turqisë.
Aksidenti ndodhi pranë pikës së pagesës Akhisar, në autostradën Gebze-Orhangazi-Izmir, ndërsa njoftimi për ngjarjen u pranua në orën 11:11.
Autobusi po udhëtonte nga Bursa drejt Izmirit, ndërsa destinacioni përfundimtar ishte Pamukkale, në provincën Denizli.
Guvernatori i Manisës, Vahdettin Ozkan, i cili vizitoi vendin e aksidentit, bëri të ditur se në autobus ndodheshin 34 pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit, ndërsa kamioni drejtohej nga një shofer.
“Ekipet mjekësore dhe të shpëtimit u dërguan në vendin e aksidentit dhe menjëherë nisën operacionet për shpëtimin e qytetarëve të përfshirë në aksident”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Guvernatorit.
Në vendngjarje u dërguan ekipe të shumta të ndihmës së shpejtë, zjarrfikësve, policisë, xhandarmërisë dhe Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), ndërsa të plagosurit u transportuan në spitale.
Njëri prej të plagosurve u dërgua në spital me shkallën më të lartë të urgjencës.
Ozkan tha se aktivitetet në terren po vazhdojnë nën koordinimin e Prokurorisë së Përgjithshme Publike.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Mustafa Ciftci, më herët kishte bërë të ditur të dhëna paraprake për 11 të vdekur dhe 26 të plagosur.
